Soros do të takojë Presidentin e Komisionit Evropian Juncker

Soros do të takojë Presidentin e Komisionit Evropian Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe George Soros do të takohen të enjten për të diskutuar për ligjin e ri të arsimit të lartë në Hungari. Deri më tani njoftohet se takimi do të zhvillohet në Bruksel, pa praninë e Kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Takimi mes Juncker e Soros vjen pasi kryeministri Orban detyroi parlamentin të miratojë ligjin që synon të mbyllë Universitetin e Evropës Qendrore, themeluar në vitin 1991 në Budapest dhe financuar nga George Soros. I themeluar jo shumë kohë pas rënies së komunizmit në Hungari, universiteti njihet si promovues i ideve për një shoqëri të hapur e demokratike.

Gjatë një interviste, Kryeministri Orban argumentoi se ligji ishte i nevojshëm të miratohej pasi statusi i Universitetit të Evropës Qendrore që e lejonte atë të vepronte në Hungari duke lëshuar diploma amerikane, i jepte avantazh të padrejtë ndaj universiteteve hungareze. Zoti Orban e quajti mënyrën se si universiteti funksiononte “një mashtrim”, duke shtuar se “në Hungari, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, edhe nëse është miliarder,” një deklaratë direkte kjo për George Soros.

Ndërkohë Szilárd Németh, nënkryetari i Partisë Fidesz, partisë së kryeministrit Orban, vizitën e Soros në Bruksel e quajti një tentativë të miliarderit për të dezinformuar dhe bërë presion Partisë Popullore Evropiane që të përjashtojë nga grupi parlamentar përfaqësuesit e Fidesz.

Szilárd Németh shtoi se “Partia Fidesz është e sigurt se George Soros po lobon në Bruksel kundër vullnetit dhe interesave të popullit hungarez.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>