Sot, e mërkurë më 18 tetor, prokuroria nuk ka nisur ende hetimet ndaj Saimir Tahirit. As ndaj dy vëllezërve Habilaj. Edhe pse ndaj tyre ka fakte të mbledhura në mënyrë të ligjshme që hedhin të paktën dyshime për aktivitet kriminal: trafik ndërkombëtar armësh dhe droge. (Prej dy vjetësh, prokuroria nuk ka hapur as ndonjë hetim kundër Saimir Tahirit i cili ka pranuar disa herë publikisht se ka shitur një makinë në të zezë duke kryer evasion fiskal.)
Sot, e mërkurë 18 tetor, në orën 13:15 pas mesdite, Gjykata e Tiranës pritet që të jepet vendimi i gjykatës ndaj katër aktivistëve që protestuan më 22 shkurt 2016 kundër ndërtimit të këndit të lojërave në parkun e liqenit.
Mimoza Boçari, Ardit Mekshiqi, Orges Zani dhe Altin Kuko do të mësojnë nëse gjykata do të bjerë dakord me prokurorinë dhe do t’i dënojë ata me disa muaj burg, me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të rendit publik të policisë.
Kundër këtyre “kriminelëve të rrezikshëm” prokuroria hapi proces që ditën e protestës, pa kaluar asnjë orë. Hetoi për muaj të tërë dhe zhvilloi një sërë seancash gjyqësore.
Edhe pse është bërë e qartë që rrethimi i parkut që mbrojtën policët qe i paligjshëm dhe dhunim i disa ligjeve dhe i Konventës Aarhus nga ana e Kryebashkiakut Veliaj pasi nuk kishte as leje ndërtimi dhe asnjë dokument tjetër të ligjshëm (të cilët u hartuan më pas me ngut nga Bashkia në mënyrë po të paligjshme); edhe pse u mësua se vendosja e policëve në mbrojtje të gardhit në park ishte një vendim arbitrar, i ndërmarrë pa zbatuar asnjë ligj dhe asnjë procedurë të vetë policisë; edhe pse u bë e qartë se policët kishin kufizuar në mënyrë të paligjshme të drejtën e qytetarëve për të përdorur parkun; edhe pse u bë e qartë se policët me arrogancë ofenduan dhe ushtruan dhunë të panevojshme dhe të pajustifikuar ndaj protestuesve, prokuroria nuk e pushoi çështjen por kërkoi dënimin me disa muaj burg të protestuesve duke shfajësuar policinë nga çdo abuzim.
Sot, në orën 13:15 në Gjykatën e Tiranës, Shqipëria do të hedhë një hap të mëtejshëm në luftën kundër krimit dhe përparimit të saj perëndimor: do të dënojë katër qytetarë që guxuan të protestojnë dhe të ngrihen kundër arbitraritetit të qeveritarëve të korruptuar dhe abuzivë.