
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka lënë në burg për 5 ditë një person të ekstraduar nga Gjermania pa i caktuar masë sigurie.
Burime për BalkanWeb njoftojnë se Gjergj Çollakut iu dha masa e sigurisë ‘arrest me burg’ 5 ditë pasi ishte ekstraduar, ndonëse kjo duhej brenda 48 orëve sipas ligjit.
56-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ai u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në Shqipëri më 14 janar. Brenda datës 16 janar, SPAK duhet të vendoste masën e sigurisë ndaj tij por procesverbali për ekzekutimin e urdhrit të arrestit është dërguar në Gjykatë më 19 janar, pra 5 ditë me vonesë.
Harresa e Çollakut në burg nuk është çudia e parë që ndodh në SPAK pasi kujtojmë se korrikun e kaluar GJKKO lëshoi urdhër-arrest për dy komisionerë të zgjedhjeve të vitit 2017 të cilët kishin ndërruar jetë kohë më parë.