SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm janë shprehur kundër projektligjit për “Për policinë e shtetit”, sipas së cilit lejohen përgjimi dhe gjurmimi i qytetarëve dhe detyron SPAK-un të raportojë para ministrit të Brendshëm.
Këto ndryshime, propozuar nga Këshilli i Ministrave, parashikojnë dhe ngritjen e një komiteti anti-krim me në krye Ministrin e Brendshëm dhe pjestarë:
- ministrin e Drejtësisë,
- ministrin e Financave dhe Ekonomisë,
- Prokurorin e Përgjithshëm,
- drejtuesin e SPAK-ut,
- drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit,
- drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,
- drejtorin e agjencisë përgjegjëse për luftën kundër terrorizmit,
- drejtorin e agjencisë përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave.
Në një raport, siguruar nga ReportTV, SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm e quajnë antikushtetues ngritjen e komitetit anti-krim në varësi të ministrit të Brendshëm. Ata kundërshtojnë pjesëmarrjen në të pasi “Prokurori i përgjithshëm dhe drejtuesi i SPAK janë funksione të parashikuara në kushtetutë, si të pavarur nga ekzekutive”.
Lidhur me të dhënien e së drejtës për përgjim policisë pa vendim gjykate, SPAK shkruan se përbën shkelje ‘serioze’ të lirive e të drejtave të njeriut.
SPAK sqaron se ligji shqiptar i parashikon qartë institucionet që vendosin për përgjimet e qytetarë dhe se për çfarë do të përdoren këto përgjime.
Në ligjin ekzistues përgjimi ambiental, regjistrimi audio dhe video dhe përgjimi i bisedave telefonike mund të bëhet vetëm me autorizimin e prokurorisë. Kjo ndodh vetëm në rastet “kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo po organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera.”
Ndërsa në rast të përgjimeve parandaluese, SPAK sqaron se është kreu i gjykatës së apelit të posaçëm që miraton kërkesat dhe nuk ka arsye të ketë ndryshim ligjor.
Po ashtu, theksohet se propozimi për procedimin policor me veprime gjurmuese hetimore bie ndesh me legjislacionin pasi të drejtën e hetimit e ka vetëm prokuroria dhe jo policia. Edhe prokurori i përgjithshëm Olsian Çela është shprehur kundër projektligjit për përgjimet.