Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit ka përfunduar hetimet për sulmin ndaj prokurorit Arian Ndoja.
Sipas BalkanWeb, SPAK do të marrë të pandehur Redjan Rrajën dhe Arjol Halilajn. Pritet që atyre t’ju komunikohet akuza e plotë të hënën.
Prokurori i Durrësit Arian Ndoja u plagos më 1 nëntor 2019, në një atentat me armë ndaj tij. Sulmi ndodhi rreth orës 16:30, ndërsa ai udhëtonte si pasagjer në një makinë në mbikalimin e Shkozetit në autostradë Tiranë-Durrës.
Në makinë bashkë me të udhëtonin edhe Aleksandër Laho, i njohur gjithashtu me emrin Landi Muharremi, dhe Andi Maloku, ne rolin e shoferit, i cili humbi jetën.
Sulmi ndaj Ndojës u bë nga persona që udhëtonin ne dy makina që e kishin ndjekur. Më vonë gjatë mbrëmjes së 1 nëntorit, policia gjeti rreth 25 kilometra larg vendngjarjes, në fshatin Shkafanë të Ishmit, një nga automjetet e dyshuara se u përdorën në atentat. Brenda makinës u gjetën dy kallashnikovë dhe dy maska. Makina tip Benz kishte targa të vjedhura në Tiranë.
Sulmet ndaj prokurorit në atë kohë u dënuan nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ashtu dhe nga Shoqata e Gjyqtarëve.