Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka nisur sot hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe nënkryetarit Arbjan Mazniku për vendimet e fundit të Këshillit Bashkiak për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Burime të OraNews kanë pohuar se SPAK ka nisur hetimet pas një padije të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit më 6 maj. ATM paditi Veliajn dhe Maznikun për “shpërdorim detyre, korrupsion të zyrtarëve që kryejne funksion publik, kryer në bashkëpunim” në lidhje me projektin e Teatrit Kombëtar.
Kjo padi ishte bërë para se qeveria të vendoste kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit tek Bashkia, më 8 maj dhe para vendimeve të paligjshme të Këshillit Bashkiak të 14 majit, për të shembur teatrin.
Për këto të fundit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i ka bërë thirrje SPAK-ut të hetojë procedurat e votimit në Këshillin Bashkiak të vendimit për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Ajo akuzoi Bashkinë Tiranë dhe këshilltarët se kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë vendosur prishjen e Teatrit Kombëtar në shkelje të ligjeve dhe rregulloreve.