Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që të rëndohet akuza për autorin e dyshuar të vrasjes së Santiago Malkos, Blendi Teta.
SPAK kërkon që nga ‘vrasje me paramendim’, Teta të gjykohet për ‘vrajse për hakmarrje’.
Sipas Kodit Penal, ‘vrasja me paramendim’ dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.
Ndërsa ‘vrasja e kryer për interes apo hakmarrje’ dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Santiago Malko u vra mbrëmjen e 27 gushtit 2019 me një atentat të stilit mafioz.
Ai u qëllua teksa po dilte me makinë nga një lavazh në rrugën Xhanfize Keko.
Në vendin e vrasjes, policia gjeti rreth 10 gëzhoja, ndërsa makina që u përdor nga atentatorët u gjet e diegur në fshatin Ferraj, rreth 6.5 kilometra nga vendngjarja.
Deri në vitin 2014 Malko kishte qenë polic, por më pas ishte larguar nga detyra.
Ai njihej për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.