Spanja raportoi të dielën 410 viktima ndër pacientët me Covid-19 duke shënuar prirjen më të ulët të vdekjeve nga epidemia në muajin e fundit.
Më pak se 410 viktima nga Covid-19 në 24 orë janë raportuar vetëm më 22 mars (394), ndërsa të shtunën numri i viktimave ishte 565.
Totali i të vdekurve në Spanjë, vendin e tretë më të prekur nga pandemia e Covid-19 pas SHBA-ve dhe Italisë, ka shkuar në 20 453 viktima.
Gjatë 24 orëve autoritetet diagnostikuan 4 218 persona të tjerë me virusin duke e çuar totalin e të infektuarve në 195 mijë.
Autoritetet spanjolle besojnë se vendi e ka kaluar pikun prej 2 prillit, ku numri i vdekjeve në 24 orë shkoi në 950 persona.
Sidoqoftë ata nuk janë ende gati për t’i hequr tërësisht masat kufizuese, ndërsa qeveria po mendon të shtyjë shtetrrethimin deri më 9 maj.
Nga ana tjetër qeveria po mendon që pas 27 prillit t’u lejojë fëmijëve të dalin jashtë shtëpive.
Janë mbi 2,3 milionë njerëz që janë infektuar me Covid-19 në gjithë botën, prej të cilëve 160 mijë kanë vdekur.