Prokuroria dhe Policia e Kavajës kanë arrestuar një grup punonjësish të Hipotekës Kavajë me akuzën e falsifikimit të dokumentave të pronësisë, me qëllim ndryshimin e pronësisë të 36 hektarëve tokë në bregdet në një sërë pronarësh fiktivë. Të gjithë emrat e pronarëve fiktivë sipas lajmeve në media janë familjarë të ish-Kryebashkiakut të PS-së Elvis Roshi, Kryetarit të PS-së Kavajë Gentian Daja dhe Zëvendës Prefektit të Tiranës Fatos Kaja.
Grupi i punonjësve të hipotekës Kavajës ka ndryshuar destinacionin e tokës nga “tokë e ranishte shtetërore” në “tokë bujqësore” dhe më pas e kanë shpërndarë. Personat i kanë kryer këto falsifikime nga viti 2013 deri në vitin 2016, por në dokumentat e falsifikuara shkruhet se shpërndarja e tokës është bërë në vitin 2000 deri në vitin 2003, kohë kur zbatohej ligji 7501. Në këtë mënyrë ato kanë siguruar kalimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës publike tek një sërë përfituesish të lidhur me pushtetarë që kanë në dorë pushtetin administrativ dhe politik në Kavajë në periudhën e Elvis Roshit.
Toka e përfituar në këtë mënyrë më pas është shitur disa herë, me qëllim për ta bërë të pakthyeshëm falsifikimin e pronësisë, në pritje të zhvillimeve interesante të turizmit në atë zonë.
Sërish jemi dëshmitarë se si një grup personash të pushtetshëm përveçse abuzojnë me pushtetin zyrtar dhe ligjor (si ai i dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë preferenciale tek miq dhe të njohur) veprojnë në mënyrë të paligjshme për të vjedhur pronën publike, duke e ndarë tek familjarët e tyre sipas kuotave të pushtetit.
Praktikisht, është një skenar tipik mesjetar, ku i zoti i vendit (i qytetit) abuzon me forcën e tij për të shpërndarë toka shtetërore tek familja e tij e madhe, duke konsoliduar në këtë mënyrë pushtetin në vend edhe për 20 vitet e ardhshme.