Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kanë vizituar sërish spitalin që po ndërtohet në Fier nga qeveria turke.
Spitali i ri do të ketë 380 të punësuar, prej të cilëve 50 do të jenë nga Turqia.
Sipas ministres, në fund të Marsit spitali do të pajiset me aparaturat e nevojshme.
Ajo shtoi se spitali do të ketë 150 shtretër, 20 për terapi intensive.
Spitali do të mundësojë shërbime për qarkun e Fierit, Vlorë dhe Gjirokastrës që kanë gjithësej rreth 540 mijë banorë.
Manastirliu theksoi gjithashtu se ky spital do të jetë autonom, pra vendimet për punësimin, buxhetin dhe politikat e spitalit do të merren nga një bord i tij, jo i lidhur me qeverinë.
Përdorimi i këtij modeli është thënë disa herë nga kryeministri Rama por ende nuk është zbatuar në spitalet e Shqipërisë.
Spitali i Fierit po ndërtohet me ndihmën e qeverisë turke si premtim i presidentit Erdogan gjatë vizitës së kryeministrit Rama në janar.