Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar dje me krenari se do të kthejë atë që ai e quan “tradita Rama” për diskutimin e projekt-buxhetit 2016 me qytetarët. Këto diskutime me publikun, Veliaj i konsideron arritje të tij dhe me nota populiste ka deklaruar: “duam të marrim bekimin tuaj nëse ky është buxheti që duam. Më mirë i marrim bashkë këto vendime, pastaj edhe suksesin e ndajmë bashkë, se sa disa burokratë që i marrin këto vendime pa lidhje me realitetin”.
Përtej servilizmit të zakonshëm ndaj shefit të tij Rama, takimet që ka vendosur të zhvillojë Zoti Veliaj janë një përpjekje tinzare propagandistike për të fshehur realitetin e vërtetë: standardi Rama-Veliaj për Tiranën është në thelb praktikimi i klientelizmit, vendim-marrjes së fshehtë dhe konspirative dhe shpërfillje e plotë të qytetarëve dhe interesit publik.
Mjaft që të konsiderohen vendimet e vetëm 2-3 muajve të fundit për ndërtimet në Tiranë, për të kuptuar qartë këtë standard.
Në fillim të shtatorit në një mbledhje të fshehtë, pa asnjë njoftim publik dhe pa pjesëmarrje të mediave, Rama-Veliaj ka dhënë një leje për ndërtim 14 katësh në hyrje të parkut të Liqenit, përballë Fakultetit të Ekonomisë. Leja është dhënë për biznesmenin Samir Mane, një nga klientët më të afërt personalë të Zotit Veliaj dhe qeverisë Rama në përgjithësi. Asnjë diskutim me komunitetin nuk u bë para vendimit, kërkesë kjo e detyrueshme nga konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.
Vlen të thuhet që në fushatën elektorale, Zoti Veliaj kishte premtuar që nuk do të lejonte asnjë ndërtim në parkun e liqenit.
Po gjatë muajit shtator, dyshja Rama-Veliaj ka dhënë të paktën 5 leje për ndërtime të larta në Tiranë, përsëri në fshehtësi, pa bërë publike asnjë informacion. Lejet janë dhënë për një listë klientësh të rëndësishëm të dyshes Ram-Veliaj, përfshi Mihal Delijorgjin – pronarin e dënuar më burg të fabrikës së Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë. Edhe këto leje janë dhënë pas asnjë diskutim me komunitetin, në shkelje hapur të ligjit.
Javët e fundit Zoti Veliaj ka deklaruar fillimin e një projekti për tansformimin e Sheshit Skëndërbej në hapësirë vetëm për kalimtarë. Por ai nuk ka bërë publike projektin, mënyrën e hartimit dhe zbatimit të tij dhe asnjë të dhënë tjetër. Edhe për këtë projekt nuk ka zhvilluar asnjë diskutim me qytetarët.
Lejet e mësipërme janë dhënë në kushtet kur dyshja Veliaj-Rama kanë shpallur moratoriumin për ndalimin e të gjitha ndërtimeve në Tiranë, për një periudhë një vjeçare.
Aktualisht, dyshja Rama-Veliaj po konspiron për të ndërtuar në pjesën e parkut të liqenit, në krah të Godinë së Universitetit Politeknik, duke sajuar nevoja gjoja publike, në fakt për të mundësuar aty ndërtime private të klientëve të tyre. Reagimi kritik i publikut kur u bë fillimisht i njohur ky projekt i ka stepur pak, por vështirë të besohet se Zoti Rama dhe Zoti Veliaj do të heqin dorë përfundimisht nga marrëveshja me klientët e tyre që duan të ndërtojnë në atë zonë.
Këto shembuj mjaftojnë për të kuptuar se shfaqja e përditshme disa javore, që Zoti Veliaj po bëhet gati të vërë në skenë për, gjoja, diskutimin e buxhetit me qytetarët, me gjasa ka për të qënë një tjetër fushatë e shtrenjtë dhe e zhurmshme marketingu për të gënjyer njerëzit.
Kjo fushatë do të jetë maska e një realiteti të shëmtuar në dëm të interesit publik.