Arkitekti italian Stefano Boeri është vënë në qendër të vëmendjes së medias tonë që kur ai u ngarkua nga Kryeministri Rama për hartimin e planit të zhvillimit urban të Tiranës. Pjesë e propagandës zyrtare për të promovuar projektet personale të Edi Ramës në Tiranë ka qenë pikërisht lartësimi i figurës së Stefano Boerit, i cili është zgjedhur për të qënë fytyra publike e projekteve të Ramës.
Stefano Boeri ka lindur në Milano. Ka studiuar dhe është formuar profesionalisht e politikisht aty. I biri i një ish partizani italian, në rininë e tij studentore ai militoi në organizatat rinore të ekstremit të majtë—aq ekstreme, sa në vitin 1975 ai mori pjesë në një sulm të dhunshëm ndaj një të riu neofashist. Në këtë përplasje mbeti i plagosur me armë e më pas humbi jetën një nga të rinjtë. Boeri, së bashku me të tjerë, u gjykua për agresion të rëndë ndaj jetës, por nuk u dënua për shkak se u aministua para se të dilte në gjyq.
Pas përfundimit të studimeve, Boeri u mor me studime dhe shkrime kulturore dhe gazetari. Me kohën, ai u bë një nga maitre a penser (zë me ndikim) në fushën e mobilimit, fillimisht si drejtor i Domus dhe më pas i Abitare, revistat më me influencë në fushën e mobilimit të Milanos, qytet i cili pret çdo vit panairin më të rëndësishëm në botë për mobilim dhe ku, natyrisht, marrin pjesë kompanitë më prestigjoze të kësaj industrie.
Në cilësinë e kryeredaktorit të këtyre revistave prestigjoze, Boeri herë pas here botonte artikuj lavdërues për miqtë dhe miqtë e miqve të tij. Kështu, në vitin 2005 ai botoi të parin e një serie artikujsh që promovonin politikanin Edi Rama si një yll të sistemit kulturor bashkëkohor, veçanërisht projektin e lyerjes së fasadave, por asnjëherë për ndonjë nga veprat artistike.
Mbasi arriti një pozicion të shquar në mjedisin kulturor të Milanos— falë edhe të vëllait Tito Boerit, profesor ekonomie në Universitetin Bocconi, sot president i Institutit Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore— Stefano Boeri u hodh në arenën e politikës duke kandiduar në vitin 2010 në zgjedhjet e së majtës për kandidat për kryetar bashkie të Milanos. E humbi garën për kandidat përballë përfaqësuesit të së majtës radikale, avokatit Xhuliano Pisapia, i cili më vonë u zgjodh kryebashkiak i Milanos.
Pas zgjedhjeve, Boeri u përpoq fillimisht të bëhej zëvendës kryetar i bashkisë ose këshilltar komunal për urbanizmin. Por Kryebashkiaku Pisapia i refuzoi këto kërkesa për arsye se, sikurse ai shprehet në librin e tij të fundit, ishte i habitur me kërkesën e Boerit dhe nuk kuptonte si mundet një arkitekt i lidhur me “kompani që ndërtonin në mes të qytetit, të merret me urbanistikën. Konfliki i interesit nuk është i tillë vetëm kur ka lidhje me të tjerët.”
Gjithsesi, në vitin 2012, Pisapia e emëroi Boerin këshilltar për kulturën—një post që Boeri e shfrytëzoi si tribunë publike për të dhënë mendime për çdo gjë, nga kultura deri tek politika, si dhe për të provokuar vëmendje duke shkaktuar polemika publike. Fama në Milano arriti majat falë disa ndërhyrjeve pseudo-kulturale, përfshi vendosjen e statujës Finger Point (skulpturë gjigande e një gishti mesi të ngritur) të Cattelanit, në mënyrë provokuese, përpara godinës së Bursës së Milanos. Ironia është e dukshme: një pasanik si Boeri, përfaqësues i së majtës, që pretendon se po tallet në tempullin e kapitalizmit—në të cilin, ai vetë është, në të vërtetë, shërbëtor dhe i burgosur— për të kënaqur kështu intelektualët e pa vlerë. E gjitha ishte mungesë edukate e shitur për art, që ndau në dysh opinion publik të Milanos, duke përmbushur qëllimin e Boerit për vëmendje.
Zgjati vetëm 18 muaj si këshilltar i kulturës për Milanon pasi në mars 2013 u pushua nga kryebashkiaku Pisapia. Në një letër publike, disa intelektualë ndërkombëtarë i kërkuan kryebashkiakut të rikonsiderojë shkarkimin e Boerit, të cilin kryebashkiaku nuk e mori parasysh. Mes firmëtarëve janë dy shqiptarë, të cilët jo rastësisht janë Edi Rama dhe Anri Sala—Rama i ktheu kështu Boerit favorin për shkrimet mbështetëse ndaj tij, që shpjegon gjithashtu si Boeri mbërriti më pas në Tiranë.
Posti politik edhe pse i shkurtër ishte i mjaftueshëm për të pompuar popullaritetin e Boerit dhe për të siguruar klientë, tashmë, si arkitekt— deri atëhere, profesion krejtësisht dytësor i Boerit, karriera kryesore e të cilit kishte qenë gazetaria kulturore dhe politika.
Në fakt, aktiviteti i tij si arkitekt dhe projektues filloi vetëm në vitin 2009 me detyrën qeveritare për të realizuar ristrukturimin e Arsenalit të Madalenës në Sardenjë, me qëllim mikëpritjen në të të mbledhjes së G8. Ajo ishte vepra e tij e parë e vërtetë, e cila u kushtoi taksapaguesve italianë mbi 300 milionë euro: 10 000 m2 ndërtesa të veshura me plastikë në një kompleks portual prej 100 000 m2 sheshe dhe akuariume dhe asnjë fije bari apo lule, e gjithë e papërfunduar asnjëherë, deri sa së fundmi u shkatërrua nga një zjarr në 2015 (mbledhja e G8 u mbajt në Acquila në shenjë solidariteti pas tërmetit që goditi zonën).
Të njejtin shkëlqim verbues, të denjë për racionalizmin fashist në të cilin gjen fshehurazi frymëzim Boeri, e gjen edhe në një nga realizimet e tij më të mëdha, Vilën Mesdhetare në Marsejës—një tjetër godinë publike, projektimin e së cilës Boeri e arriti falë lidhjeve të tij politike.
Më pas vjen shpikja, intuita, goditja fatlume: Pylli Vertikal i Milanos, i cili nuk është gjë tjetër veçse një qiellgërvishëse me ballkone të stërmëdhenj dhe të dalë nga trupi i godinës për të mbajtur pemë të larta në vend të luleve që normalisht zbukurojnë ballkonet dhe verandat e Milanos. Ishte një sukses i madh kritik dhe publik, falë ndër të tjera vëmendjes së krijuar nga mbajtja në të njejtën kohë me inagurimin e EXPO MILANO-s, panairit më të mëdh në botë për mobilje e një sërë produktesh të tjera. Sistemi i marrëdhënieve publike i Boerit, tashmë i perfeksionuar, e promovoi projektin në shkallë botërore dhe, si pasojë ai filloi të merrte detyra të tjera të ngjashme me pyllin vertikal.
Pas këtij suksesi të papritur, Boeri braktisi një herë e përgjithmonë shkëlqimet e tij neoracionaliste, të cilat sot do t’i quante “antropocentrike” për t’iu dedikuar pyjeve “jo antropocentrikë”, si ai që miku i tij Rama ka vendosur të realizojë rreth Sheshit Skënderbej dhe që me siguri Boeri do të promovojë me të madhe në planin e tij për Tiranën.
Boeri është simboli tipik i pseudokulturës bashkëkohore, e cila bazohet në momentin kalimtar, në fjalë apo, më keq akoma, në instalacione: Pylli Vertikal më tepër se arkitekturë është një emër, një sllogan, që shpejt do të shndërrohet në një modë. Arkitektët e mëdhenj kanë shprehur ide përmes projekteve të tyre, ndërkohë që aftësia e Boerit është të përdorë fjalët dhe marrëdhëniet publike për të rrëfyer e për t’i dhënë “kuptim” projekteve, të cilët humbin çdo vlerë nëse nuk u bëhet reklamë.
Kjo është edhe e vetmja pikë takimi dhe lidhje me Edi Ramën.