Strategjia e Koresë për koronavirusin: shtet policor, teknologji dhe testim me pagesë

Strategjia e Koresë për koronavirusin: shtet policor, teknologji dhe testim me pagesë

Ndonëse në kufi me Kinën, Korea e Jugut është një nga vendet me numrin më të vogël në botë të të infektuarve nga koronovirusi.

Politikanë dhe ekspertë të fushës ia kanë veshur këtë rezultat vendimit të Koresë së Jugut për të testuar në mënyrë masive popullsinë, duke identifikuar shpejt, izoluar dhe trajtuar menjëherë vetëm ata që janë prekur nga virusi. Motoja është “gjurmo, testo, trajto”.

Që nga shpërthimi i koronavirusit në janar e deri tani, Korea e Jugut ka testuar rreth 316 mijë njerëz, afërsisht një në 160 qytetarë. Korea ka kryer më shumë se çdo vend i Evropës dhe SHBA-të—e duta pas saj vjen Italia e goditur masivisht nga koronovirusi e cila ka kryer deri tani rreth 200 mijë testime, pasuar nga Gjermani me rreth 160 mijë testime.

Strategjia e Koresë u mbështet në përvojën e fituar gjatë epidemisë MERS, që shpërtheu në këtë vend në maj-korrik 2015. MERS u shkaktua nga një virus i familjes së koronavirusëve dhe vrau 36 koreanojugorë.

Menjëherë pas zhdukjes së MERS-it, Korea e Jugut hartoi një ligj të veçantë për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive. Ky ligj i dha qeverisë pushtet të pakufizuar për të ndaluar çdo të drejtë të individit dhe për të survejuar, gjurmuar dhe ndaluar çdo individ që mund të dyshohet për infeksion.

Ligji i jep të drejtë qeverisë të ketë ketë në dispozicion dhe të gjurmojë transaksionet bankare, veprimet me kartë krediti, të dhënat e telefonit dhe telefonanat, lëvizjet dhe kontaktet e çdo personi që po testohet, që është diagnostikuar me infeksion, apo që është kontakt i një personi të infektuar.

Qeveria ka gjithashtu të drejtë të të monitorojë me teknologjinë GPS dhe të dënojë këdo që thyen karantinën.

Të gjitha këto veprime qeveria koreane i ka zbatuar në shkallë të gjerë gjatë krizës së koronavirusit.

Ajo gjithashtu e ktheu vigjilencën qytetare në shtyllën kryesore të përgjigjes ndaj rrezikut të infeksioneve. Qytetarët informojnë për çdo rast që ata dyshojnë se mund të jetë i infektuar, ndërkohë që qeveria informon çdo të afërm të dikujt që po testohet apo është i infektuar.

Vetë qeveria koreane vendosi një standard shumë të lartë të transparencës dhe informimit të publikut. Zyrtarët e shëndetit publik informojnë publikun dy herë në ditë mbi çdo zhvillim, përfshi testimet e kryera dhe rezultatet e tyre.

Mbi të gjitha, qyetarët marrin mesazhe nëse një person pranë tyre, koleg ose fqinj po testohet, dyshohet ose është i infektuar.

Testi është falas për çdo njeri të dyshuar, por me pagesë për qytetarët e thjeshtë. Doktorët kanë të drejtët të testojnë vetëm personat që kanë më pak se 14 ditë që janë kthyer nga një vend me numër të lartë të infektuarish ose kanë pneumoni pa një shkak të qartë.

Testet janë falas për të gjithë personat në rrezik—ata që kanë ardhur nga Kina ose kanë pasur një kontakt me një person të infektuar.

Ndërsa për personat e tjerë që nuk bëjnë pjesë në një nga këto kategori, testi bëhet me para dhe kushton rreth 125 dollarë.

Testi i parë për COVID19 u prodhua më 4 shkurt nga një kompani bioteknike koreane, kur vendi kishte raportuar vetëm 16 raste. Tre ditë më vonë filloi shpërndarja e testeve. Tre kompani fituan të drejtën për të shpërndarë testet.

Korea jo vetëm qe vendi i parë që krijoi testin për koronavirusin, por duke prodhuar çdo gjë në vend pati mundësinë të vepronte shpejt dhe në shkallë të gjerë për testimin e popullsisë.

Korea e Jugut ka kapacitetin për të kryer 20 mijë teste në ditë dhe ka 663 qendra në të gjithë vendit ku kryhen testet, përfshirë edhe klinikat ambulante, ku kalon me makinë pranë një dritareje dhe materiali për testim të merret nga dritarja, pa zbritur nga makina.

Materiali për t’u testuar dërgohet me makinë—ruajtur në 40 gradë në kontenitorë të mbyllur mirë— drejt 118 laboratorëve, ku 1200 profesionistë analizojnë rezultatet dhe nxjerrin përgjigjen brenda 6 orësh.

Ky lloj kombinimi i teknologjisë, kapaciteteve shëndetësore dhe ndërhyrjes së pakufizuar të qeverisë në privatësinë e çdo individi bëri që Korea e Jugut të realizonte me sukses kufizimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit.

Kjo gjë ka qenë e pamundur në vende të tjera, ku shqetësimi për të drejtat civile të popullsisë dhe për pasojat ekonomike ishte një nga shkaqet kryesore të ngadalësisë për të reaguar.

Në Itali, në Francë, në Mbretërinë e Bashkuar të drejtat civile dhe ruajtja e kapaciteteve ekonomike shtynë me disa javë marrjen e masave drastike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>