
Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën vendimin për t’iu ofruar mbrojtje të parakohshme dhe të menjëhershme emigrantëve afganë.
Një nga vendet ku pritet të strehohen ata është edhe Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, vendim ky i pritur jo mirë nga studentët.
Euronews Albania raporton se përfaqësues të studentëve në Univeristetin e Prishtinës kundërshtojnë vendosjen e afganëve në konvikte në prag të vitit të ri shkollor.
Sipas tyre kjo mund të sjellë çoroditje të studentëve duke qenë se pak ditë na ndajnë nga sezoni i ri dhe ata janë të papërgatitur për të gjetur banesa të tjera.
Për këtë arsye, përfaqësuesit e studentëve thonë se nuk do të ndalen me kaq nëse merret vendimi që refugjatët nga Afganistani vendosen në Qendrën e Studentëve.
Afganët që do të strehohen në Kosovë pritet të vendosen në qendrat e azilit në Magure dhe Vranidoll, si dhe ne dy ishkampe të KFOR-it, njëri në Prizren dhe tjetri në Vushtrri.
Qeveria shqiptare ka vendosur gjithashtu të strehojë afganët në konviktet në Qytetin Studenti, vendim i cili është kundërshtuar nga Unioni i Këshillave Studentore.
Ende nuk ka një numër të saktë të afganëve që do të vijnë në Kosovë dhe Shqipëri.