Kina raportoi vetëm 19 raste të reja infektimi me koronavirus. Duket se pas thuajse tre muajsh me mbi 80 mijë të prekur dhe mbi 3100 vdekje, ajo ka arritur të kontrollojë përhapjen e virusit.
Përvoja e saj tregon se, tani për tani, ka vetëm një mënyrë efikase për të luftuar epideminë e koronavirusit: izolimi i njerëzve të prekur.
Formula duhet të jetë e njëjtë kudo: identifiko shpejt rastet; gjurmo kontaktet e tyre; dhe izolo njerëzit me simptoma dhe kontaktet e tyre.
Që nga mesi i janarit, Kina vendosi në karantinë mbi 60 milionë qytetarëve, kinezë dhe të huaj, ndaloi udhëtime brenda e jashtë vendosit, e vendosi Vuhanin, epiqendrën e infeksionit, në shtetrrethim të plotë.
Këto masa kanë dhënë rezultate të jashtëzakonshme. Pas mbylljes së Vuhanit për më shumë se një muaj e gjysëm, numri i rasteve të përhapura nga kjo epiqendër botërore në zonat e tjera ra në zero.
Tani shumë zona rreth Vuhan pritet të shpallen të pastra, ndërsa autoritet po mendojnë të lejojnë udhëtimet dhe të hapin fabrikat në zonat me rrezik të ulët.
Të martën, Presidenti i Kinës Xi Jinping vizitoi Vuhanin duke dhënë një sinjal simbolik se Kina e mundi koronavirusin.
Kina po përpiqet t’i promovojë edhe në botë masat e marra për ndalimin e përhapjes së virusit.
Ditët e fundit duke përdorur masa të ngjashme ka rënë numri i infeksioneve edhe në Korenë e Jugut, pas karantinës së mijëra qytetarëve në një zonë të infektuar më shumë se të tjerat.
Michael T. Osterholm, drejtor i Qendrës Kërkimore për Sëmundjet dhe Infeksionet në Amerikë u shpreh për New York Times se Kina ka bërë një punë të shkëlqyer në ndalimin e virusit.
William Scaffener, specialist infeksionist në universitetin e Vanderbilt tha për New Tork Times se numrat tregojnë se masat ekstreme të karantinimit, nëse zbatohen siç duhen mund të ndalojnë përhapjen e virusit deri në zhdukjen e tij.
“Ky është eksperimenti më i madh shëndetësor në historinë e njerëzimit. Karantinimi mund ta shuajë virusin dhe mund t’i japë botës kohë të zbulojë kurën”, tha ai.
Ekspertët ende nuk e dinë nëse kjo formulë do të zhdukë përgjithmonë koronavirusi por ata shprehen të sigurtë se kjo do t’i japë kohë botës të gjej një mjekim dhe një vaksinë.