Ambasada e Malit të Zi në Beograd u sulmua, me gjasa nga anëtarët e Kishës Ortodokse Serbe dhe “Yllit të Kuq”.
Turmat njerëzish u mblodhën jashtë ambasadës, i vunë flakën një flamuri malazez dhe hodhën fishekzjarrë dhe mjete piroteknike të tjera. Ata gjithashtu bënë thirrje që Ambasadori i Malit të Zi në Serbi të shpallet persona non grata. Policë të shumtë serbë ishin të pranishëm dhe u përpoqën të ruanin rendin dhe të siguronin ndërtesën.
Kryeministri i Malit të Zi Dusko Markoviç u shpreh: “Një tjetër mizori, një sulm u zhvillua në Ambasadën e Malit të Zi mbrëmë në Beograd. Mali i Zi do të mbrohet përkundër urrejtjes së ekspozuar nga të njëjtët njerëz brenda dhe jashtë vendit. ”
Tensionet erdhën si pasojë e frikës së një ligj të ri, të miratuar në orët e para të 27 dhjetorit në parlamentin serb, sipas të cilit disa toka serbe do t’i kalonin Malit të Zi. Sipas parashikimeve të ligjit, të dyja objektet dhe toka që i përkisnin shtetit malazez para vitit 1918 do të bëhen pronë e tij dhe pjesë e trashëgimisë kulturore të Malit të Zi, përveç nëse ka prova që vërtetojnë pronësinë e shtetit serb.
Qeveria malazeze pretendon se projektligji plotëson standardet e BE dhe se aktiviteti i Kishës Ortodokse Serbe nuk do të cenohet.
Çështja përkeqësohet më tej nga mosmarrëveshjet në vazhdim mbi identitetin etnik të Malit të Zi dhe historisë së sovranitetit të tij. Të dyja këto çështje vihen në dyshim nga nacionalistët serbë dhe Kisha Ortodokse Serbe.
Partia Demokratike reagoi ndaj këtij lajmi, duke ofruar mbështetjen e plotë për Malin e Zi.
“Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit.”
Më tej PD shprehet:
“Përveçse një akt i rëndë, shqetësim sjellin raportimet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, pjesë e forcave paramilitare serbe që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi.
Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë.”
Exit News pyeti një zëdhënës të qeverisë shqiptare nëse ata gjithashtu mbështesin Malin e Zi për këtë çështje, por nuk morëm asnjë përgjigje. Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Shqipëria mori kryesimin e OSBE-së, përgjegjësia e së cilës është të promovojë dhe inkurajojë paqen dhe stabilitetin, si në rajon, ashtu edhe në të gjitha shtetet anëtare.