Tabaku, Rushaj, Alibeaj dhe Duma drejtuesit e rinj të PD

Nga Exit News
Tabaku, Rushaj, Alibeaj dhe Duma drejtuesit e rinj të PD

Jorida Tabaku, Alfred Rushaj, Enkeled Alibeaj dhe Grida Duma janë nënkryetarët e rinj të PD të propozuar nga kryetari Basha të dielën në Këshill Kombëtar.

Me ndryshimet në strukturën e partisë, PD do te ketë 4 nënkryetarë nga 2 që ka pasur më parë.

Në postin e Sekretarit të Përgjithshëm është rikonfirmuar Gazment Bardhi ndërsa Sekretar Organizativ është emëruar Ervin Minarolli.

Në Kuvend, grupin parlamentar të PD do ta drejtojë Alfred Rushaj ndërsa drejtues i Këshillit Kombëtar është propozuar Edi Paloka.

Sekretar i grupit parlamentar të PD do të jetë Arbi Agalliu.

Propozimet e emrave të rinj pritet të votohen të hënën në bllok nga Keshilli Kombëtar i partisë.

Kush janë drejtuesit e rinj në PD

Grida Duma u prezantua në publik në vitin 2011 si moderuese e takimit “Iniciativa për Tiranën”, një takim ku u fol për problemet e kryeqytetit para zgjedhjeve lokale. Gjashtë muaj më vonë Duma u emërua zëvendës ministre e Integrimit Europian në qeverinë Berisha. Ajo shërbeu në këtë detyrë deri në vitin 2013. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 ajo  kandidoi për Bashkinë e Durrësit dhe humbi.

Në vitin 2014 ajo u bë Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun e PD. Duma u zgjodh për herë të parë si deputete në 2017 dhe zëdhënëse e grupit parlamentar të PD. Në 2021 ajo u rizgjodh sërish deputete.

Jorida Tabaku u emërua zëvendësministre e Integrimit Evropian, në 2009 në qeverinë e PD. Në vitin 2011, Jorida ajo u emërua nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në 2013 ajo u zgjodh për herë të parë si deputete në Kuvend. Tabaku u rizgjodh deputete në 2017 dhe në 2021.

Enkeled Alibeaj u zgjodh deputet i PD në vitin 2009. Ai u emërua drejtor i departamentit të antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave. Alibeaj ka qënë Ministër i Drejtësisë në qeverinë Berisha nga në vitet 2007-2009. Ai është zgjedhur deputet i PD në të gjitha zgjedhjet parlamentare nga 2009 deri në 2021.

Alfred Rushaj ka shërbyer si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009. Më pas u emërua zv.Ministër i Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013. Rushaj drejtoi fushatën zgjedhore të PD në zgjedhjet e 25 prillit ku ai u zgjodh deputet për herë të parë.

Gazment Bardhi ka qenë këshilltar ligjor i ministrit të Drejtësisë Eduart Halimi në vitin 2012 dhe nga viti 2013-2017 ekpert ligjor i Kuvendit. Në 2017 ai u emërua ministër Drejtësie në qeverinë teknike para zgjedhjeve parlamentare. Nga viti 2017-2019 Bardhi mbajti postin e sekretarit për çështjet ligjore në PD dhe nga viti 2019 ka qenë sekretar i përgjithshëm i partisë. Ai u zgjodh për herë të parë deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ervin Minarolli ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm i politikave në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nga viti 2006 deri në 2014. Në PD ai ka shërbyer si Sekretar i Burimeve Njerezore. Minarolli u zgjodh deputet për herë të parë në 2021.

Edi Paloka është themelues i Partisë Demokratike, anëtar i Këshill Kombëtar që nga viti 1994 si dhe anëtar i kryesisë së PD që nga viti 1999. Në 1999 ai emërohet zëdhënës i kryetarit Sali Berisha. Në 2001 është zgjedhur për herë të parë deputet dhe që atëherë ka qenë pjesë e Kuvendit deri në vitin 2019. Paloka ka qenë nënkyretar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar pas zgjedhjeve të vitit 2017.

Arbi Agalliu është ekspert ekonomie dhe pedagog për rreth 8 vite në Universitetin Europian të Tiranës. Ai ka qënë për rreth 20 muaj, administrator i UET-së. Agalliu u zgjodh deputet për herë të parë në 25 prill në qarkun e Vlorës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>