Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së Ilir Meta dhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha zhvilluan të dielën paradite një takim në lidhje me arritjen e konsensusit shumicë-opozitë për reformën në drejtësi.
Për nga rëndësia ky takim kishte pak peshë në krahasim me atë Rama-Basha të javës së shkuar dhe nuk solli asgjë në praktikë. Palët folën me njëra-tjetrën dhe kaq. Por, megjithatë, nga takimi mund të kuptohen disa gjëra.
- Zoti Meta mund të kërkojë të marrë një rol protagonisti, në ditët e ardhshme, në lidhje me reformën në drejtësi. Pas takimit, Zoti Meta pohoi se ai “vetëm sot u njoh me kërkesën e opozitës.” Kjo gjë duket e çuditshme pasi në takimin Rama-Basha ka qenë i pranishëm Zoti Petrit Vasili, bashkëpunëtor i ngushtë i Zotit Meta. Për më tepër, nëse zoti Meta nuk ka ditur gjë më parë, do të thotë se ai ka qenë indiferent për çështjen më të rëndësishme politike të vendit, që është e vështirë të besohet, sidomos mbas dështimit të bujshëm të takimit Rama-Basha.
Me shumë gjasa, Zoti Meta nuk tregohet i sinqertë kur thotë se nuk i ka ditur kërkesat e opozitës, por arsyeja pse pretendon kështu mund të jetë justidikimi për të marrë një rol protagonisti, tani e tutje. Me deklaratën e tij duket sikur ai po thotë “Nuk jam përfshirë deri tani se nuk e dija se çfarë po bëhej, po tani që e mora vesh, do përpiqem ta zgjidh unë.”
- Partia Demokratike po vazhdon të tregojë paaftësi në komunikimin publik të qëndrimit të saj. Edhe pas deklaratës së ngatërruar dhe të pakuptueshme publike të PD-së pas takimit Rama-Basha, Partia Demokratike nuk ka arritur dot ende të shprehë direkt, qartë dhe thjeshtë atë çfarë ajo kërkon.
Pas takimit me Zotin Meta, Zoti Basha foli përsëri me gjuhë burokratike dhe indirekte. Mbas disa fjalëve të përgjithshme, më së shumti klishe politike, Zoti Basha u shpreh se PD kërkon “zbatimin e pikës 88 të rekomandimeve të Venecias” pa dhënë ndonjë sqarim se çfarë thotë pika 88. Zoti Basha duket se mendon se populli shqiptar duhet të gjejë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe një kopje të draftit të reformës mbi të cilën ka komentuar Venecia, dhe t’i studiojë këto dokumente (thellësisht teknike dhe të ndërlikura) për të kuptuar se çfarë kërkon PD-ja!
Ndoshta, Zoti Basha mund ta ketë zgjedhur formulimin e mësipërm pasi ka dashur të theksojë faktin se kërkesa e PD-së është, në fakt, kërkesë e Komisionit të Venecias dhe jo mungesë fleksibiliteti, siç akuzuan Ambasada Amerikane dhe Misioni i BE-së. Por, sidoqë të jetë, ai mund ta kishte arritur edhe këtë qëllim duke folur thjesht dhe kuptueshëm për njerëzit e thjeshtë.
- Zoti Basha vazhdon të tregohet naiv apo i pakujdesshëm në marrëdhëniet publike. Duke e lënë takimin me Zotin Meta në ditën e ditëlindjes së tij, ai u bë, ndoshta në mënyrë të pavullnetshme, objekt i “dashurisë” së Zotit Meta, i cili i solli në takim 42 trëndafila blu si dhuratë për ditëlindje. Si rezultat, në shumë media, lajmi kryesor u bënë trëndafilat dhe ngjyra e tyre dhe jo reforma në drejtësi dhe qëndrimi i PD-së—pa nënvlerësuar, gjithashtu, faktin se Zotit Basha nuk i intereson politikisht kjo “dashuri” e hapur nga Zoti Meta.
Mbas rënies në “kurthin” e Zotit Rama javën e shkuar, takimi për të sqaruar Zotin Meta, i cili e priti me trëndafila ditëlindjeje, mund ta dobësojë më tej figurën e Zotit Basha si dikush pa peshë, të cilin të tjerët e marrin lehtë dhe të cilit i mungon pjekuria apo reputacioni për të ndikuar apo, së paku, për t’u konsideruar seriozisht nga kundërshtarët.
- Në kontrast, Zoti Meta po bën çdo përpjekje, jo pa sukses, për ta rishpikur veten si njeri i i matur, mirëkuptues, i aftë të komunikoje me të gjithë dhe mjaftueshëm i fortë për të ndikuar të tjerët.
Zoti Meta duket se po e shfrytëzon situatën e krijuar pas dështimit të takimit Rama-Basha në shërbim të këtij imazhi, nga njëra anë duke u përpjekur të bëje kontrast në publik mes qëndrimeve të tij të matura dhe tolerante dhe qëndrimeve armiqësore dhe luftarake të dyshes Rama-Basha; dhe nga ana tjetër duke u pozicionuar në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve si “ndërmjetës” i domosdoshëm për të nxjerrë politikën nga situata e tanishme konfliktuale. Nuk do jetë e habitshme sikur zotërinjtë Basha dhe Rama ta pranojnë atë si ndërmjetës mes tyre, nëse do të gjenden nën trysni apo kushtëzimin për të gjetur mirëkuptim për reformën.
Jo më kot, por në shërbim të këtij imazhi, Zoti Meta solli trëndafila në takim; jo më kot ai theksoi se i kishte telefonuar paraprakisht Zotit Rama për t’i thënë se kishte vendosur të takohej me Zotin Basha; jo më kot ai bëri lëshimin e pranimit “burrëror” dhe “të dinjitetshëm” të “gabimit” për futjen e reformës në rend të ditës. Mbi të gjitha, ai nuk tregoi më kot frymë bashkëpunuese dhe shprehu mundësinë e arritjes së mirëkuptimit mes palëve gjatë shqyrtimit të reformës në Kuvend.
- Mbas takimit Basha-Meta, nuk ka më dyshim se futja në rend të ditës e reformës në drejtësi ishte bërë jashtë rradhe dhe në shkelje të procedurës parlamentare nga drejtuesit socialistë. Ky fakt tregon se Kryeministri Rama po kërkon të përfitojë nga situata e favorshme në opinionin publik për t’i bërë presion PD-së, apo të paktën disa prej deputetëve të saj, për të miratuar draftin pa e ndryshuar. Kryeministri do t’i japë PD-së së plagosur goditjen fatale, duke mos i lënë asaj fare kohë të manovrojë dhe të gjejë një strategji të re për t’u ndeshur me situatën e krijuar.
Por mbi të gjitha, Kryeministri po kërkon votimin sa më parë të reformës në Kuvend për të mos u lënë kohë të tjerëve të sqarojnë në publik të metat e reformës dhe, mbi të gjitha, të vetëdijësojnë publikun se versioni aktual i reformës mbart rrezikun se mund ta vërë sistemin e drejtësisë nën ndikimin e Kryeministrit— gjë që do ta gërryente mbështetjen publike për miratimin e reformës në drejtësi dhe, për rrjedhojë, mund ta detyronte Zotin Rama të bënte lëshime.