Talebanët pretendojnë se kanë pushtuar Luginën Panjshir

Nga Exit News
Talebanët pretendojnë se kanë pushtuar Luginën Panjshir

Burimet talebane thonë se ushtria e tyre ka marrë të premten luginën Panjshir në veri të Kabulit, provinca e fundit e Afganistanit jashtë kontrollit të grupit islamik. Por udhëheqësit e rezistencës në luginë mohojnë që ajo të ketë rënë në duart e talebanëve.

“Trazirat janë shtypur dhe Panjshiri tani është nën komandën tonë,” tha një komandant taleban, raporton Reuters.

Deklaratat nuk janë konfirmuar ende por breshëri festive janë regjistruar në Kabul dhe llogaritë në Facebook ishin plot me përmendje të rënies së Panjshirit.

Një gazetar i BBC World postoi një videoklip në Twitter në të cilin ish-zv.presidenti Amrullah Saleh, një nga drejtuesit e forcave opozitare të rezistencës së Panjshirit, tha se ishte ende në luginë.

“Nuk ka dyshim se jemi në një situatë të vështirë. Ne jemi nën sulm nga talebanët. Ne nuk kemi humbur terrenin dhe kemi rezistuar.”, thotë ai.

Ai gjithashtu shkroi në Twitter për të thënë: “Rezistenca po vazhdon dhe do të vazhdojë. Unë jam këtu me tokën time, për tokën time dhe duke mbrojtur dinjitetin e saj.”

Djali i tij Ebadullah Saleh gjithashtu hodhi poshtë raportet për rënien e Panjshirit, ku mijëra luftëtarë nga milicitë rajonale dhe forcave të qeverisë së vjetër janë mbledhur nën udhëheqjen e Ahmad Massoud, djalit të komandantit të ndjerë muxhahidin Ahmad Shah Massoud.

Vetë Massoud shkroi në Twitter: “Lajmet për pushtimet e Panjshir po qarkullojnë nga mediat pakistaneze. Ato janë të rreme”.

Lugina Panjshir ka pozicion të favorshëm strategjik dhe i ka rezistuar pushtimit sovjetik dhe atij të mëparshëm të talebanëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>