Shumica qeverisëse vazhdon të mbështesë rritjen e tarifave gjyqësore, parashikuar në ligjin “Për ndihmën juridike dhe tarifat gjyqësore”. Megjithëse Presindeti Meta, dy ditë më parë, nuk e dekretoi ligjin dhe e riktheu për shqyrtim në parlament, deputetët socialist në komisionin e Ligjeve, refuzuan rishqyrtimin.
Rritja e tarifave gjyqësore e parashikuar në ligjin “Për ndihmën juridike dhe tarifat gjyqësore”, kufizon të drejtën kushtetuese të individit për t’u ankuar kundër vendimeve gjyqësore të dhëna ndaj tij.
Kjo e drejtë është sanksionuar në nenin 43 të Kushtetutës, i cili shprehet se “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetutë parashikohet ndryshe”.
Qeveria ka miratuar rritje të pajustifikuar dhe jopropocionale të tarifave. Kjo rritje cënon ushtrimin e të drejtës në praktikën kushtetuese për tu ankuar.
Pikërisht mungesa e një studimi se ku bazohet kjo rritje e tarifave është një nga arsyet kryesore se përse Presidenti Meta nuk e dekretoi ligjin:
“Së pari, niveli i tarifave, i parashikuar ne këtë ligj, është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tarifave, gjë e cila paraqet rrezik të lartë për vështirësimin e aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë,”shkruhet në relacionin shoqërues të presidencës.
Një muaj më parë, përpava votimit të ligjit në parlament, dhe organizatat e shoqërisë civile e kundërshtuan projekligjin, duke renditur një sërë shkeljesh të kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.
Disa prej këtyre shkeljeve, që mesa duket do të miratohen në Kuvend së shpejti janë:
Tarifa gjyqësore për paraqitjen e ankimimit dhe rekursit do të jetë sa gjysma e vlerës së paguar për hapjen e gjykimit në shkallë të parë.
Kjo do të thotë se tarifa maksimale për hapjen e një procesi gjyqësorë do të jetë 20.000.000 lekë për tarifa maksimale për ankimim në gjykatat e apelit dhe rekurs në Gjykatën e Lartë për qytetarët do të jetë 10.000.000 lek.
Ndërsa aktualisht qytetari paguan një përqind të vlerës së padisë në shkallë të parë për hapje të procesit gjyqësorë dhe një pullë 200 lek për çdo ankimi dhe rekurs.
Rritja e tarifës së ankimimit dhe rekursit nga 200 lekë në 2000 lekë deri në 10.000.000 lekë nuk është proporcionale dhe prek interesin publik.
Rritja me 10 herë më shumë e tarifës gjyqësore për gjykimet në gjykatat e apelit dhe në Gjykatën e Lartë (jo më pak se 2000 lek dhe jo më lartë se 10.000.000 lekë në krahasim me 200 lek që është aktualisht) sjell kufizim të ankimit në këto gjykata.
Ky parashikim në projekt ligj sjell kufizim të së drejtës së ankimimit dhe të rekursit. Ndërkohë që procesi gjyqësor është një i vetëm dhe shqyrtimi në apel dhe në Gjykatë të Lartë, përbëjnë vetëm dy mjete të kontrollit të ligjshmërisë së vendimit të gjykatës më të ulët.
Vendosja e tarifës maksimale prej 20.000.000 lekë për hapjen e procesit gjyqësorë përbën një kufi maksimal shumë të lartë dhe të pajustifikuar.
Kjo tarifë është e papërballueshme për subjektet që i drejtohen gjykatës, duke cënuar parimin e proporcionalitetit, të drejtën kushtetuese dhe garancinë për akses në gjykatë në kuadrin e procesit të rregullt ligjor.