Në një artikull të ditës së premte të botuar në exit.al trajtuam çështjen e teksteve dixhitale që do të përdoren nga nxënësit e 60 shkollave në vend, të cilat janë përcaktuar si shkolla dixhitale në kuadrin e një programi pilot për futjen e shkollimit përmes teknologjisë dixhitale.
Artikulli ngrinte një sërë problemesh në lidhje me procesin e përzgjedhjes së këtyre teksteve, të cilat prekin cilësinë e tyre dhe, si rrjedhim, të shkollimit të fëmijëve.
Artikulli ofronte, përgjithësisht, fakte, ngrinte pikëpyetje mbi to dhe jepte opinione. Ndërsa informacioni që ne sillnim mund të linte shteg dyshimesh për favorizime apo parregullsi në proces, vetë artikulli nuk akuzonte për veprime korruptive apo abuzive, duke mbetur brenda gardhit të ngritjes së pikëpyetjeve për veprimet e Ministrisë së Arsimit.
Përveç ministrisë, shkrimi përmendte një kompani prodhimi librash shkollorë—Shtëpinë Botuese Albas—e cila ka botuar të paktën dy tekste shkollore me bashkë autore Ministren e tanishme të Arsimit, para se ajo të bëhej ministre.
Shkrimi shprehej se Albas kishte përfituar nga një ndryshim i pajustifikuar i kritereve të konkurrimit nga Ministria e Arsimit, ndryshim i cili lejoi që për variantin dixhital të konkurronin edhe tekstet që nuk ishin përzgjedhur në variantin e shtypur.
Shkrimi ynë informonte se kompania Albas kishte dalë fituese nga konkurrimi për, pothuajse, të gjitha lëndët që kishte konkurruar, madje për disa lëndë si tekst i vetëm i përzgjedhur nga ministria. Po ashtu, informonte se tekstet dixhitale ishin vendosur të përdoreshin edhe nga klasa që nuk janë pjesë e programit pilot të shkollimit dixhital, që do të thotë se botuesit do të shesin më shumë tekste të tilla edhe pse mësuesit jashtë programit pilot mund të mos jenë të aftësuar me këtë mënyrë të re mësimdhënieje.
Shkrimi nuk sillte shifra, por disa nga të dhënat janë si në vijim: duke përjashtuar programet dixhitale të gjuhëve të huaja, për të cilat Ministria ka zgjedhur, në mënyrë të lëvdueshme, metoda të suksseshme ndërkombëtare, Albas është përzgjedhur si tekst dixhital për 17 lëndë nga 23 gjithsej (nuk e dimë nëse ka konkurruar në 6 lëndët që nuk është zgjedhur). Në lëndët që ka fituar, katër herë është përzgjedhur si e vetmja alternativë dhe 12 herë të tjera si një nga vetëm dy alternativat që ju propozohen shkollave—çdo shkollë, pastaj, është e lirë të vendosë vetë cilin tekst nga alternativat e ministrisë do të përdorë.
Në të vërtetë, së bashku me Albas, fituese e teksteve dixhitale, pothuajse, në të gjitha lëndët është edhe një tjetër shtëpi botuese, të cilën artikulli nuk e kishte përmendur. E vetmja arsye pse zgjodhëm të përmendnim kompaninë Albas ishte sepse kishim dyshime të arsyeshme për konflikt të mundshëm interesi në rastin e saj, për shkak të lidhjes së hershme të kompanisë me Ministren e Arsimit.
Ky dyshim na u përforcua nga fakti se Albas është përfituesja kryesore nga ndryshimi i kritereve të konkurrimit nga bashkëpunëtorja e dikurshme e saj në biznes, Ministrja e tanishme e Arsimit; si dhe nga fakti i pa përmendur në shkrim se në rastet kur shkollat kanë zgjedhur vullnetarisht të përdorin tekste dixhitale—pra, jashtë programit të detyrueshëm pilot (nuk dihet sa e lejueshme është kjo gjë)—ato kanë zgjedhur, pothuajse, gjithmonë tekstet dixhitale të kompanisë Albas.
Në lidhje me këtë dyshim, duhet sqaruar se ligji ynë njeh si konflikt interesi jo vetëm konfliktin faktik të interesit, pra rastin kur realisht ka konflikt interesi, por edhe konfliktin e perceptuar të interesit, pra, rastin kur mund të perceptohet se njëra nga palët në vendim-marrje ka interesa që bien ndesh me detyrën publike. Për të krijuar një ide, kushdo që dëshiron mund të konsultojë Ligjin Nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sidomos Nenin 5 e veçanërisht pikën e) të këtij neni.
Por pak orë pas botimit të artikullit tonë reagoi kompania Albas, e cila me anë të një mesazhi elektronik, na njoftoi të shtunën paradite se ajo do të dorëzojë kundër nesh “në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë për shqyrtimin e veprës penale të shpifjes, që redaksia [jonë] ka konsumuar në shkrimin ‘Vera klienteliste e teksteve shkollore dixhitale’, shkrim i cili ndikon negativisht në imazhin e Sh. B. Albas dhe i shkakton asaj një dëm ekonomik të konsiderueshëm.”
Pavarësisht vendimit të kompanisë Albas, ne jemi të bindur, mbështetur në informacionet që kemi, se artikulli nuk ka asnjë pasaktësi faktike; nuk përmban akuza apo shpifje, e aq më pak të qëllimshme; dhe nuk shkel standardet etike të gazetarisë. Mbi të gjitha, e vetmja palë mbi të cilën ngrihen pikëpyetje dhe dyshime në artikull është Ministria e Arsimit dhe jo kompania Albas (shpresojmë që veprimet e Albas të mos jenë të nxitura dhe të mos bëhen vetëm për të mbrojtur Ministren e Arsimit).
Për këtë arsye, ne i qëndrojmë artikullit të botuar dhe mendojmë se veprimi i kompanisë Albas është i pamotivuar dhe i ngutur.
Nga ana tjetër, ne mendojmë se është qesharake që Albas e “di” paraprakisht se artikulli jonë do t’i “shkaktojë asaj një dëm të konsiderueshëm ekonomik”, sikurse është shprehur në njoftimin për ne.
Nga ana tjetër, ne dëshirojmë t’i japim këshillim ligjor falas kompanisë duke e informuar se në Kodin Penal të vendit nuk përfshihet vepra e “shpifjes” nga gazetarët, “vepër” mbi të cilën Albas ka njoftuar se do na akuzojë në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës. Sigurisht, Albas mund t’i drejtohet Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës për të njëjtën akuzë.
Në emër të të gjithë atyre që shkruajnë në exit.al—që të gjithë kontribuues vullnetarë, pa pagesë, të cilët shkruajnë vetëm për t’i shërbyer të mirës publike, ndërkohë që paguajnë taksa me një pjesë të të cilave paguhen e fitojnë kompani si Albas—i kërkojmë Kryeministrit të shqyrtojë nëse Ministrja e Arsimit ka vepruar në konflikt interesi në rastin e kompanisë Albas. Shqyrtimin e tij ta shtrijë për të gjithë marrëdhënien ministri-Albas nga viti 2013 deri më sot.
I kërkojmë, gjithashtu, Kryeministrit të verifikojë mbi ç’bazë ligjore dhe arsyetim administrativ, teknik dhe ekonomik, Ministrja e Arsimit ndryshoi, në mes të procesit, kriteret fillestare të konkurrimit për tekstet dixhitale, duke u dhënë të drejtë të konkurrojnë teksteve që nuk ishin përzgjedhur në variantin e shtypur—duke lejuar që nxënësit e shkollave dixhitale të punojnë me tekste që vetë Ministria e Arsimit nuk i gjykoi mjaftueshëm të mirë për dhjetëra mijëra nxënësit e shkollave të tjera, jodixhitale.
I drejtohemi gjithashtu publikisht Prokurorisë së Tiranës të hetojë nëse Ministrja e Arsimit ka vepruar në konflikt interesi—faktik, të perceptuar apo të mundshëm—duke zbardhur, ndër të tjera, marrëdhëniet kontraktuale të saj me shtëpinë botuese Albas, si dhe nëse në këtë marrëdhënie janë respektuar të gjitha ligjet, përfshi detyrimet fiskale.
Gjithashtu, duke qenë se nga të dhënat publike që kemi zbuluar duket se ka veprime të dyshimta jo vetëm këtë vit por edhe në vitet e shkuara, i kërkojmë Prokurorisë të Tiranës të hetojë të gjithë procesin e prokurimit të teksteve dixhitale nga Ministria e Arsimit për të gjitha vitet, përfshi verifikimin e dyshimit se konkurset për tekstet dixhitale mund të kenë qenë konkurrime praktikisht fiktive.
Në fund, një shënim të lidhur, por të një natyre tjetër. Rregullat zyrtare të drejtshkrimit, miratuar në një kongres shtetëror të fillim viteve 1970-ë, kërkojnë që të përdoret forma “digjitale” në vend të “dixhitale” për termin që në shqip, mirëfilltas, duhet të ishte përkthyer si “shifrore”.
Ne të exit.al mendojmë se gjuha është një gjë e gjallë, e cila evoluon, dhe rregullat drejtshkrimore duhet ta respektojnë këtë zhvillim. Prandaj, në vend të variantit shtetëror “digjital”, ne kemi vendosur t’i qëndrojmë “dixhitales”, e cila ka fituar gjerësisht të drejtën e qytetarisë në të folurën e përditshme të shqipfolësve brenda dhe jashtë vendit.