Të gjitha aktivitetet sportive të ndaluara, shtyra dhe rikalendarizuara

Nga Exit News
Të gjitha aktivitetet sportive të ndaluara, shtyra dhe rikalendarizuara

Përhapja e koronavirusit në mbi 120 shtete të botës ka goditur ndjeshëm sportin ku pjesa më madhe e aktiviteteve janë pezulluar ndërsa disa sportistë janë infektuar.

Exit News sjell kronologjinë e të gjitha zhvillimeve që prej janarit të vitit 2020.

17 Mars
UEFA shtyn kampionatin Evropian, CONMEBOL kampionatin e Amerikës së Jugut. Euro2020 dhe Copa America 2020 do të zhvillohen në vitin 2021.

Në Britani ndalohen të gjitha garat e hipizmit, atletikës dhe të gjitha ndeshjet e boskit.

Turneu i atletikës Diamond League shtyn tre garat e para të sezonit 2020, të paracaktuara për t’u zhvilluar në Katar dhe Kinë.

16 Mars
Gjermania ndalon tërësisht futbollin deri më 3 prill. Paralajmërohet zgjatje e pezullimit. Vendimi do të rishqyrtohet më 30 mars.

Australia i lejon ndeshjet e futbollit, por të luhen pa tifozë.

Në SHBA shtyhet nisja e sezonit në bejzboll, për shkak të ndalimit të grumbullimeve të njerëzve.

Britania e Madhe ndalon kualifikueset e boksit për në Lojërat Olimpike, të cilat ishin parashikuar më 24 mars.

Turneu i snukerit (snooker) Tour Championsip në Uells do të luhet pa spektatorë.

Afrika e Jugut ndalon të gjitha aktivitetet në futboll, regbi dhe kriket.

Në Formulën 1, një furnitor i gomave Pirelli diagnostikohet me koronavirus.

Federata Ndërkombëtare e Tenisit për Femra zgjat pezullimin e aktiviteteve për 2 javë të tjera deri më 2 maj.

15 Mars
Anglia vendos që kualifikueset e boksit për në Lojërat Olimpike t’i zhvillojë pa spektatorë – parashikohet të zhvillohen deri më 24 mars.

Presidenti i Federatës Zvicerane të Futbollit, Dominique Blanc diagnostikohet me koronavirus.

Pesë lojtarë dhe pjesëtarë të stafit të klubit të Valencias raportohen në gjendje të mirë shëndetësore, pasi u diagnostikuan me koronavirus.

Meksika ndal kampionatin e futbollit.

Ferrari mbyll fabrikën e prodhimit të makinave të rrugës dhe ato të Formulës 1.

Përcjellja e flakës së Lojërave Olimpike Tokyo 2020 në Athinë do të zhvillohet pa spektatorë.

14 Mars
Sulmuesi i Fiorentinës Patric Cutrone diagnostikohet me koronavirus.

Anulohet ndeshja miqësore e parashikuar për më 31 mars mes Gjermanisë dhe Italisë. Maroku ndalon ndeshjet e futbollit.

Gara e Meksikës për kampionatin botëror të rellit mbyllet parakohe për shkak të pezullimit të fluturimeve.

13 Mars
Pezullohet futbolli në Angli, Francë e Skoci. UEFA shtyn ndeshjet që do të luhen më 17 dhe 18 mars.

Sulmuesi i Chelsea-it Callum Hudson-Odoi rezulton pozitiv me koronavirus, Chelsea dhe Evertoni vihen në karantinë.

Formula 1 dhe Formula E pezullohen deri në muajin maj.

12 Mars
Pezullohen tërësisht turnetë e tenisit dhe basketbollit në botë. Pezullohet futbolli në SHBA, Shqipëri, Danimarkë, ndërsa në Angli mbahet mbledhje e jashtëzakonshme.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta rezulton me koronavirus, vihet në karantinë edhe skuadra e Brighton, që kishte luajtur së fundmi me ta.

Sulmuesi i Sampdorias, Manolo Gabbiadini rezulton me koronavirus, vihet në karantinë edhe skuadra e Veronës, me të cilën luajnë dy futbollistët shqiptarë Rahmani dhe Kumbulla.

Basketbollisti i Utah Jazz, Rudy Gobert rezulton pozitiv me koronavirus vihen në karantinë disa skuadra.

11 Mars
Përpara garës së Formulës 1 në Australi, 2 pjesëtarë të skuadrës Haas dhe 1 të McLaren rezultojnë me koronavirus.

Me koronavirus rezultojnë edhe futbollistët Daniele Rugani i Juventusit dhe Timo Hubers i Hannover. Vihen në karantinë Juventus, Inter dhe Hannover.

Shtyhet ndeshja Manchester City-Arsenal. Disa lojtarë të Arsenalit futen në karantinë pasi Arsenali kishte luajtur me Olympiacosin dhe pronari i saj rezultoi me koronavirus.

Shtyhen ndeshjet Sevilla-Roma dhe Inter-Getafe në Europa League.

Në SHBA disa ndeshje të basketbollit në NBA vendoset të luhen pa spektatorë.

10 Mars
Pronari i Nottingham Forestit dhe Olympiakosit, Evangelos Marinakis rezulton me koronavirus.

Federata Italiane e Futbollit diskuton mbylljen e kampionatit. Hidhet ideja e një play-off-i.

Ndeshjet Bayern Munich-Chelsea, Barcelona-Napoli dhe LASK-Manchester United vendoset të luhen pa tifozë. Njësoj vendoset të luhen kampionatet franceze dhe spanjolle dhe ndeshjet kualifikuese për Euro 2020.

9 Mars
Italia ndal të gjitha aktivitetet sportive deri më 3 prill. Në Britaninë e Madhe qeveria thotë se nuk ka arsye të bëjë të njëjtën gjë.

Ndeshjet Olympiakos-Wolves e Sevilla-Roma në Europa League dhe PSG-Borussia Dortmund në Champions League vendosen të luhen pa tifozë.

Shtyhet përballja në boks e Francesco Pateras dhe Devis Boschiero e vlefshme për titullin WBA në peshat e lehta.

8 Mars
UEFA u ndalon futbollistëve dhënien e duarve, në Bullgari e Greqi ndeshjet vendosen të luhen pa tifozë, ndërkohë që gara e Bahrainit në Formulën 1 zhvillohet pa spektatorë.

7 Mars
Anulohet maratona e Barcelonës, organizatorët mendojnë shtytjen për në 25 tetor.

6 Mars
Shtyhet ndeshja e futbollit PSG-Strasbourg, ndeshja e regbisë Francë-Skoci ndërsa Arabia Saudite pezullon të gjitha aktivitetet.

Shtyhet gara e Romës në Formulën E.

5 Mars
Ndeshja Atalanta-Valencia në Champions League vendoset të luhet pa tifozë. Në Marok vendoset që të gjitha ndeshjet të luhen pa tifozë, ndërsa në Angli ndalohet dhënia e dorës mes sportistëve.

Në çiklizëm shumica e skuadrave tërhiqen nga të gjitha aktivitetet. Në Romë maratona e 19 marsit shtyhet për më 18 tetor.

4 Mars
Ministri Italian i sportit kërkon që të gjitha ndeshjet e futbollit të luhen pa tifozë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar thotë se nuk ka diskutime rreth anulimit apo shtytjes së Lojërave Olimpike Tokyo 2020.

3 Mars
Federatat ndërkombëtare të tenisit anulojnë 7 turne, 6 për meshkuj dhe një për femra. Në Itali shtyhet ndeshja e Juventus-Milan e vlefshme për Kupën.

2 Mars
Federata Zvicerane e Futbollit pezullon kampionatet deri në fund të marsit.

Anulohet kampionati ndërkombëtar i miqësoreve për klubet e futbollit që do të luhej gjatë verës në Azi.

Anulohet gara e dytë e MotoGP-së në Tailandë për shkaqe sigurie të pilotëve dhe sportdashësve.

1 Mars
Anulohet hapja e sezonit të MotoGP në Katar për shkak të kufizimit të udhëtimeve nga Italia. Për shkak të përhapjes së koronavirusit shtyhet ndeshja e futbollit Sampdoria-Verona e Serie-A.

29 Shkurt
Shtyhen 5 ndeshje të Serie-A, përfshirë Inter-Juventus. Shtyhet edhe turneu botëror i triathlonit në Abu Dhabi.

28 Shkurt
Pezullohen ndeshjet e futbollit në Zvicër, po kështu pezullohen kualifikueset e mundjes për në Lojërat Olimpike.

27 Shkurt
Anulohet turneu çiklistik në Emiratet e Bashkuara pasi dy çiklistë rezultojnë pozitiv me koronavirus. Anulohet gjithashtu turneu Engadin, organizimi më i madhi i përvitshëm i skive në Zvicër.

26 Shkurt
Shtyhet ndeshja e regbisë mes Italisë dhe Irlandës.

25 Shkurt
Pesë ndeshje futbolli luhen pa tifozë në Serie-A. Ferrari kufizon hyrje-daljet në fabrikën e saj. Në Japoni shtyhet kampionati deri në mars, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkmbëtar siguron se Lojërat Olimpike Tokyo 2020 do të vazhdojnë sipas planit, në korrik.

24 Shkurt
Konfederata Aziatike e Futbollit vendos që ndeshjet në Azi të luhen pa tifozë.

23 Shkurt
Në very të Italisë shtyhen disa ndeshje futbolli, ndërsa lojtarët ankohen për situatën në kampionate.

21 Shkurt
Kina zhvendos ndeshjet kualifikuese për botërorin e futbollit Katar 2022 në Maldive. Takimet luhen pa tifozë.

20 Shkurt
Federata Ndërkombëtare e Tenisit për Femra shqyrton mundësinë për të shtyrë të gjitha aktivitetet që zhvillohen në Kinë.

18 Shkurt
Në Azi shtyhet turnetë e volejbollit dhe tenisit Davis Cup dhe Yangzhou, ndërsa ndeshjet e MMA-së zhvillohen pa spektatorë.

17 Shkurt
Kampionati Aziatik i Peshëngritjes zhvendoset në Uzbekistan.

15 Shkurt
Përfaqësuesja kineze tërhiqet nga Kampionati Botëror i Gjimnasitkës në Australi.

14 Shkurt
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit anulon ndeshjet kualifikuese të Kupës së Azisë. Po kështu anulohen turnetë e golfit Volvo China dhe Maybank Championship.

13 Shkurt
Shtyhet në tetor ndeshja e regbisë mes Singaporit dhe Hong Kongut.

12 Shkurt
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit shtyn garën e Formulës 1, parashikuar për t’u zhvilluar në Shangai të Kinës.

11 Shkurt
Konfederata Aziatike e Futbollit shtyn ndeshjet kualifikuese të Kupës së Azisë.

8 Shkurt
Shtyhet në tetor kampionati amator i golfit parashikuar për t’u zhvilluar në Tailandë.

7 Shkurt
Shtyhet ndeshja e hokejt mes Kinës dhe Australisë. Vietnami pezullon të gjitha aktivitetet sportive.

4 Shkurt
Shtyhen të gjitha ndeshjet e klubeve kineze te futbollit pjesëmarrëse në ligën Aziatike – Asian Champions League.

2 Shkurt
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit anulon garën 21 marsit për Formulën E në jug të Kinës.

1 Shkurt
Shtyhet turneu China Masters në badminton pasi pjesa më e madhe e sportistëve refuzojnë pjesëmarrjen.

31 Janar
Shtyhen turneu i golfit Blue Bay Tournament dhe ai i snooker-it China Open.

30 Janar
Federata Kineze e Futbollit pezullon të gjitha aktivitetet.

29 Janar
Ndeshja e futbollit për femra Kinë-Kore e Jugut shtyhet dhe zhvendoset në Australi. Përpara takimit skuadrat u mbajtën në karantinë.

Shtyhet për vitin e ardhshëm kampionati botëror i atletikës në salla.

27 Janar
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit zhvendosin në Serbi turneun e ndeshjeve kualifikuese të basketbollit për femra, ndeshje që ishin parashikuar të mbaheshin në Kinë.

26 Janar
Federata Ndërkombëtare e Tenisit zhvendos Grupin I të turneun Fed Cup fillimisht në Kazakistan e më pas në Dubai. Në grup bëjnë pjesë përfaqësuese tenistësh nga Kina, Taivani, Indonezia, Korea e Jugut, Uzbekistani dhe Kazakistani.

22 Janar
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar anulon kualifikueset e boksit dhe futbollit të vajzave, të cilat do të zhvilloheshin në Wuhan.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>