Shtyhet për 2 muaj pagesa e qirasë për të gjithë bizneset e vogla

Nga Exit News
Shtyhet për 2 muaj pagesa e qirasë për të gjithë bizneset e vogla

Të gjithë bizneset e vogla nuk do të paguajnë qira për dy muaj, si ato biznese që janë mbyllur për shkak të pandemisë, ashtu dhe ato që vijojnë punën.

Këshilli i Ministrave ndryshoi dje aktin normative të qirave për të përfshirë në të dhe bizneset që janë në punë. Në aktin e parë, pagesa e qirasë për dy muaj shtyhej vetëm për bizneset e vogla të mbyllura.

Dy qiratë e prapambetura do të paguhen pas majit, çdo muaj, në mënyrë proporcionale dhe duke u dakordësuar me pronarin.

Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020.

Kusht për përfitimin nga ky akt është pasja e një kontrate të rregullt qiraje.

Ky vendim i qeverisë nxiti zemërim mes qytetarëve pasi shumë familje jetojnë me të ardhurat nga qiratë dhe mos marrja e tyre për dy muaj mund të shkaktojë problem serioze për financat e tyre.

Nga ana tjetër, megjithëse masa duket si ndihmë ndaj biznesit të vogël, ky i fundit do të ketë më shumë detyrime për të paguar në muajt e ardhshëm.

Siç Exit News ka shpjeguar më parë, ky akt normativ është i pavlefshëm pasi ai ndryshon një nga detyrimet kryesore të kontratës së qirasë të rregulluara nga Kodi Civil (KC). Neni 812 i KC parashikon se një nga detyrimet e qiramarrësit është të paguajë qiranë në afatin kohor të përcaktuar mes palëve.

LEXO  Gjykata lë në burg 14 mjekë për teste Covid-19 fallso

Kodi Civil mund të ndryshohet vetëm nga Kuvendi me një shumicë prej tre të pestash dhe jo me një akt normativ me fuqinë e ligjit.

Këtë gjë e ka konfirmuar, me një vendim të vitit 2014, Gjykata Kushtetuese e cila është shprehur se një ligj, miratimi i të cilit bëhet me tre të pestat e Kuvendit, nuk mund të ndryshohen me akte normative.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe direkt të zbatueshme. Çdo akt që bie në kundërshtim me to është i paligjshëm.

 

Lajme te ngjashme