Socialistë të bashkuar rreth konçesioneve

Socialistë të bashkuar rreth konçesioneve

Ndërsa qeveria nuk ndalet më në fabrikimin e gjithëfarëlloj konçensionesh, përherë e më të dyshimta e të debatueshme, pakënaqësia publike ndaj arkitektit të tyre, Kryeministrit Rama, po shtohet për ditë. Por socialistët në vend që të reflektojnë, duket se kanë shtrënguar rradhët e unitetit rreth Kryeministrit Rama dhe konçensioneve të tij.

Tashmë gjithë aktiviteti dhe energjia e çdo politikani socialist është vënë në shërbim të lëvdimit dhe mbrojtjes së konçensioneve. Duket sikur e gjithë qeverisja është reduktuar, tashmë, në një ministri gjigande propagande për mbrojtjen e fabrikës së konçensioneve të Kryeministrit Rama.

Kryeministri Rama, 26 janar 2016:

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë partneritet publik-privat dhe dua t’i siguroj të gjithë sipërmarrësit se ne jo vetëm nuk tërhiqemi nga këto lloj sulmesh barbare balte, por përkundrazi, do të vazhdojmë të ftojmë parnerët privatë për të ndërtuar shkolla, rrugë e për të ofruar shërbime të tjera.”

Kryeministri Rama, 28 janar 2016:

“Ne do vijojmë me këmbëngulje ta zgjerojmë bashkëpunimin me sipërmarrjen private në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve.”

Ministri i Financave Shkëlqim Cani, 21 janar 2016:

“Tani po them disa fjalë për të famshmin “partneritet privat publik”. …është një platformë informatike, në ndihmë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kjo është puna që do të bëjnë. Kaq e thjeshtë është! Tjetër, pothuajse zero është kostoja e këtij PPP! Do bëhen përllogaritjet, mos u mërzisni, nuk është çudi që do kemi fitim nga i gjithë ky aktivitet.”

Ministri i Shëndetësisë Beqaj, 26 janar 2016:

“…në atë çfarë tregon realiteti, partneriteti publik-privat është një formë efektive, e përdorur jo vetëm në Shqipëri, për të zgjeruar shërbimin.”

Ministri i Ekonomisë Ahmetaj, 6 janar 2016:

“Qasja jonë ndryshe lidhet me një marrëdhënie të re, siç e theksova, të Partneritetit Publik Privat, e cila përfshin gamën më të gjerë të mundshme kontraktore publik- privat, duke përfshirë shërbime të cilat deri tani kanë qenë kosto për financat publike dhe kanë lënë shumë për të dëshiruar tek qytetarët.”

Ministri i Shtetit Çuçi, 27 janar 2016:

Partneriteti publik-privat në të mirë të qyetarëve është një nga çelësat për të hapur dyert e shërbimeve cilësore dhe pa korrupsion për ta.”

Kryebashkiaku Veliaj, 20 janar 2016:

“Është e paarsyeshme që bashkia të ketë monopol dhe të investojë gjithçka vetë, ndaj këto mund të bëhen në partneritet me biznesin”

“Do të prezantojmë 112 projekte dhe kërkojmë bashkëpunimin publik-privat për t’i vënë në jetë ato”

Ministrja e Zhvillimit Urban Gjermeni, 27 shtator 2015:

“Partneriteti publik-privat është një mjet i rëndësishëm. Ne besojmë në rolin e komuniteteve dhe sipërmarrësve privatë dhe qëllimi ynë është forcimi i partneritetit dhe krijimi i modeleve të suksesshme, publike-private”.

Zv. Ministrja e Financave Beqiraj, 22 janar 2016:

“Partneriteti me privatët është shpeshherë zgjidhja për të kryer investime të rëndësishme dhe për të siguruar shërbime me cilësi dhe efektivitet të lartë.”

Deputeti socialist Kokëdhima, 29 dhjetor 2015:

Këto janë praktika mëse normale që të punojnë së bashku partnerët publikë dhe privatë dhe t’i japin zhvillim rajonit.”

Deputetja socialiste Xhaçka, 28 janar 2016:

“Partneriteti publik-privat është gjë krejt ndryshe, për atë pjesë të sistemit ku shteti nuk ndërhyn dot, vetëm këtë pjesë ia jep privatit. I shtrin dorën e bashkëpunimit privatit. Kjo përveçse e zhvillon ekonominë, ofron punësim, e ndihmon edhe biznesin, por biznesi nuk përfiton pa përfituar shteti. Kjo sjell vetëm të mira në buxhetin e shtetit. Në rastin e TVSH-së, partneriteti publik-privat do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>