Një 82 vjeçar nga Shkodra vdiq të mërkurën në Spitalin Shefqet Ndroqi. Mediat raportuan se ai ishte viktimë e Covid-19, por Ministria e Shëndetësisë e hodhi poshtë duke theksuar se vdekja iu shkaktua nga sëmundje të tjera.
I moshuari ishte sjellë në Tiranë ditët e fundit dhe vuante nga sëmundje të veshkave dhe mushkërive.
Në testin për Covid-19 kishte rezultuar pozitiv, por pavarësisht kësaj, vdekja e tij nuk i shtohet numrit të përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në Shqipëri.
Përmes një komunikimi me mediat, Ministria e Shëndetësisë theksoi se 82-vjeçari vdiq nga tromboza në mushkëri dhe veshka.
Megjithëse i infektuar me Covid-19, Ministria u shpreh se ai nuk kishte shfaqur shenja të sëmundjes – ishte asimptomatik – e për rrjedhojë nuk cilësohet viktimë e epidemisë.
Kështu autoritetet shëndetësore arsyetojnë se që vdekja e një pacienti të cilësohet viktimë e virusit duhet që infeksioni i Covid-19 të ketë shfaqur simptoma.
Kështu deri më sot janë 4 raste, të cilat kanë të përbashkët faktin se ishin të infektuar, por që vdekja nuk iu erdhi nga virusi:
- 10 prill, një 85-vjeçar vdiq nga infarkti
- 13 prill, një 59-vjeçar vdiq nga hemorragjia në tru
- 14 prill, një 62-vjeçare vdiq nga kanceri dhe sëmundja e pankreasit
- 15 prill, 82-vjeçari që vdiq nga tromboza në mushkëri dhe veshka
Prej 8 marsit, kur u diagnostikua i infektuari i parë me koronavirus, autoritetet kanë testuar 4 558 persona – 494 të infektuar, 251 të shëruar, 25 viktima.