Reth 300 kandidatë të skualifikuar nga gara për Byronë Kombëtare të Hetimit janë ankuar për mungesë transparence gjatë garës, veçanërisht në fazën e dytë.
Shumë prej tyre kanë paralajmëruar se do të ngrenë padi për procesin.
Në faqen zyrtare të ambasadës amerikane, e cila ka përshëndetur përfundimin e fazës së dytë të konkurrimit, dhjetra prej të skualifikuarve kanë komentuar për problemet e procesit.
Shumë prej tyre pretendojnë se në fazën e dytë, atë të testit fizik, nuk pati transparencë dhe kritere të përcaktuara për pragun e pikëve në secilin prej disiplinave.
Po ashtu, ata shkruajtën se mes 103 kandidatëve të kualifikuar për në fazën tjetër, shumica kishin marrë shumë pak pikë në testin logjik. Ndërsa në mesin e 300 të skualifikuarve ishin ata që kishin marrë pikët maksimale në testim.
Të skualifikuarit, përmes komenteve, i kanë kërkuar drejtueses së BKH-së Aida Hajnas, që të dalë publikisht dhe të sqarojë situatën e krijuar në testime.
Aktualisht garën për 60 vendet e BKH-së e kanë kaluar 103 kandidatë, mes të cilëve dhe 21 femra. Ata do të vazhdojnë testimin dhe në dy faza: testimin me ese dhe testin e polografit. Testi i esesë do të zhvillohet në 26 tetor.