Të varur nga “vetingu”

Nga Karl Kuçi
Të varur nga “vetingu”

Të gjithë ato të cilët ndjekin zhvillimet politike në Shqipëri, po bashkëjetojnë këto ditë me “vetingun”. Një fjalë e fshehtë e cila kohë më përpara përdorej për të treguar procedurën e autorizimit veterinar për kuajt e garimit, ndërsa sot tregon një proces të seleksionimit të personave të emëruar në vende kyçe, për të verifikuar nëse janë të përfshirë ose jo në aktivitete të dyshimta.

Në politikën shqiptare, “vetingu” erdhi së bashku me reformën në drejtësi, si një nevojë për të seleksionuar gjykatësit dhe prokurorët, për të hequr nga sistemi i drejtësisë personat e korruptuar ose të përfshirë në vendime korruptive, personat e pasuruar në mënyrë të dyshimtë, ose me lidhje të dyshimta.

Reforma kushtetuese e miratuar me unanimitet parashikon kryerjen e kësaj procedure përmes një ligji i cili përcakton detajet praktike.

Por si gjithmonë, djalli qëndron në detaje, dhe ligji i vetingut të reformës u miratua vetëm më votat e shumicës. Deputetët e opozitës e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se paanshmëria e procesit të vetingut prekej nga roli i dy institucioneve në varësi të qeverisë. Gjykata Kushtetuese e dërgoi ligjin për mendim në Komisionin e Venecias, një institucion këshillimor i Këshillit të Evropës i cili këshillon qeveritë e ndryshme për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe administratën publike.

Shumë qytetarë këtë situatë e lexuan si dëshirë të subjekteve të përfshira, si gjykatës, prokurorë dhe opozitë për të vonuar zbatimin e vetingut, pa marrë parasysh rëndësinë juridike të këtij veprimi.

Afati i skandencës i njëkohshëm i Këshillit të Evropës për datën e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe mendimit të Komisionit të Venecias krijoi një mbivendosje politike të të dy temave, duke i mundësuar dikujt të luajë mbi këtë paqartësi.

Gjuha e paqartë e bisedimeve diplomatike të personazheve të ndryshme të politikës së vendit, të shkruara gjithmonë për të siguruar një lexim të dyfishtë, janë përdorur nga qeveria si justifikim për bllokimin e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, duke u përpjekur të fshehin dështimin e shumë politikave të tjera të gabuara të qeverisë, dhe për t’i mveshur humbjen politike opozitës.

Diskutimi u shty mbi faktin se “vetingu” është (sipas qeverisë) kushti i vetëm përt të hyrë në Evropë, ndërsa shënimet, qartësisht të përcaktuara si “kushte” në tekstin e mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së në mes të dhjetorit, janë vetëm “prioritete” për tu ndjekur gjatë gjithë procesit të anëtarësimit në BE.

Pra, paaftësia për të luftuar prodhimi e drogës, për të luftuar korrupsionin, për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit, për të zhvilluar zgjedhje të rregullta, sipas qeverisë nuk janë “parakushte” por vetëm sugjerime, dhe për të mbrojtur këtë tezë, zëdhënësit e qeverisë po përfshihen çdo ditë e më shumë në një sërë deklaratash qesharake.

Ajo çfarë rrezikohet këtu nuk është besueshmëria ndërkombëtare e vendit, as ajo e qeverisë, dhe akoma më pak efikasiteti i reformës në drejtësi, por vetëm dhe ekskluzivisht fakti për të arritur, gjatë fushatës zgjedhore, t’i ngarkohet opozitës dhe Partisë Demokratike dështimi për integrimin e vendin në BE.

Edhe një herë politika e qeverisë është zëvendësimi i realitetit me propagandën, duke kërkuar me anë të një komunikimi publik efikas të furnizojë mungesat e dukshme të qeverisë: në pranverë mohuam vazhdimisht ngadalësimin e ekonomisë, në verë mohuam problemin e prodhimit të drogës, në vjeshtë mohuam përfshirjen e policisë në trafikun e drogës, dhe tani do të kalojmë dimrin duke mohuar faktin se qeveritë e vendeve të huaja e kanë vënë re.

E gjithë kjo vetëm me qëllimin për të bindur popullin se nëse ndjen uri, zhgënjim dhe padrejtësi faji është i “vetingut”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>