Teatri Kombëtar nën mbrojtjen e Europa Nostras, shpallet sit i rrezikuar

Nga Exit News
Teatri Kombëtar nën mbrojtjen e Europa Nostras, shpallet sit i rrezikuar

Teatri Kombëtar është zyrtarisht pjesë e listës së Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore Europa Nostra si një nga 7 sitet kulturore më të rrezikuara të Europës.

Lajmin e bëri sot publik Europa Nostra me anë të një njoftimi për shtyp.

Me përzgjedhjen e Teatrit Kombëtar në listën e 7 siteve më të rrezikuara, Europa Nostra do të përdorë të gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila prej 2 vitesh është angazhuar për mbrojtjen e teatrit nga shkatërrimi i planifikuar nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, e quan vendimin e Europa Nostrës një “një fitore të rëndësishme”:

“Ky titull vërteton se Teatri Kombëtar njihet ndërkombëtarisht si një sit i trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, por edhe Evropës.

Titulli tashmë i hap rrugë përpjekjes për të restauruar godinën, ku Europa Nostra luan një rol thelbësor për të lobuar për projektin dhe fondet e nevojitura.

Kjo arritje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e qindra e mijëra qytetarëve gjatë këtyre dy viteve betejë të vazhdueshme.

Lufta për ruajtjen e Teatrit Kombëtar vazhdon, por sot u fitua një betejë e rëndësishme!”

Europa Nostra është organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ajo funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian.

Për herë të parë, një grup nga Europa Nostra vizitoi Teatrin Kombëtar dhe protestën për mbrojtjen e tij në gusht 2018.

Asokohe, Presideni i organizatës publikoi edhe një letër drejtuar autoriteteve më të larta të vendit ku i kërkontë të tërhiqeshin nga përpjekjet e tyre për shembjen e godinës.

Kryeministri Rama dhe Kryetari i Bashkisë Veliaj refuzuan t’i përgjigjeshin letrës por vazhduan të deklaronin se Teatri Kombëtar nuk kishte asnjë vlerë historike.

Në gusht 2019, Alenca për Mbrojtjen e Teatrit filloi aplikoi zyrtarisht për përfshirjen e Teatrit Kombëtar në programin e “7 Siteve më të Rrezikuara”. Në aplikim, vlerat historike dhe kulturore të kompleksit përmenden si një arsyet kryesore për të cilën godinat duhen ruajtur dhe restauruar.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>