Televizioni italian Rai3, transmetoi sot emisionin FuoriTg me temë “Shqipëria: Gojët e Qepura”. Emisioni trajtoi rrezikun ndaj censurimit të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit në Shqipëri.
Në emision u diskutua arrestimi i një vajze 25 vjeçare vetëm sespe botoi në faqen e saj në Facebook një artikull mbi tërmetin të gazetës italiane avvenire.al. Si dhe transmetimi i aktiviteteve të qeverisë në ERTV, televizioni i Kryeministrit.
Gazetari italian, Valerio Cataldi, i cili ka bërë emisionin mbi trafikun e drogës në Shqipëri dhe për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafik, tha se:
“Unë jam kërcënuar pas emisioneve për trafikun e drogës në Shqipëri. Jam kërcënuar dhe jam ofenduar në mënyrë të vazhdueshme. Faktet e transmetuara në emisionin tonë u quajtën lajme të rreme”.
Gjithashtu, në emision u diskutua edhe rreziku që i kanoset lirisë së medias nëse miratohet dy projektligjet e miratuara nga qeveria.
Në studio ishte i ftuar Koloreto Cukali, Presidenti i Këshillit Shqiptar të Medias, dhe Beppe Giulietti, President i Federatës italiane Kombëtare të Medias. Për gazetarët italian foli edhe gazetari Armand Shkullaku.
Pas transmetimit të emisionit Partia Demokratike, përmes Albana Vokshit, i bëri thirrje qeverisë të tërhiqet nga “projektligjet antidemokratike, që mbyllin gojën e medias online”. “PD do ta anullojë këtë ligj antidemokratik menjëherë sapo të marrë besimin për qeverisjen e vendit”, shtoi Vokshi.