“Në teori, nuk ka ndryshim midis teorisë dhe praktikës. Në praktikë, ka.”
Ka plot njerëz që duket se këto ditë kanë përqafuar idenë se infeksioni nga koronavirusi i ri nuk ka ndyshim nga ai i gripit të zakonshëm, ndaj nuk duhet të shqetësohemi dhe të marrim masa ekstreme.
Pretendim mund të jetë i vërtetë në teori: në teori, Covid është një lloj gripi, shkaktuar nga e njejta familje virusesh që shkakon gripin e zakonshëm dhe njësoj si për gripin e zakonshëm duhet të sillemi në praktikë ashtu siç thotë teoria dhe praktika e gripit të zakonshëm.
Por në praktikë, ka shumë ndryshim.
Në praktikë për gripin e zakonshëm: ka vaksinë parandaluese, ka trajtim lehtësues apo shërues, ka imunitet trupor tek një pjesë e madhe e popullsisë botërore (pjesërisht për shkak të vaksinimit).
Në praktikë për Covid-19: nuk ka vaksinë, nuk ka trajtim lehtësues apo shërues, nuk ka imunitet trupor.
Në praktikë, gripi i zakonshëm ka përhapje të kufizuar. Në vitin 2018, gripi i zakonshëm preku 3%-11% të popullsisë së SHBA-ve (disa vlerësime më pak të besueshme japin shifrën 5%-20%).
Në praktikë nuk e dimë ende shtrirjen që do të ketë Covid-19, por parashikimet (teorike bazuar mbi shtrirjen e tanishme praktike) pritet që të prekë deri 50-70 për qind të popullsisë së SHBA-ve, Britanisë, Gjermanisë, Spanjës, Italisë dhe shumë vendeve të tjera. Dhe këto shifra pavarësisht masave ekstreme të marra për parandalimin e tyre, që janë të pashoqe në histori.
Në praktikë, për gripin e zakonshëm ka përgjithësisht simptoma të buta deri të mesme për 98% të të prekurit, të cilat mund të vetë trajtohen në shtëpi, me ilaçe që gjenden lirisht e prodhohen nga shumë kompani dhe që gjenden kudo. Vetëm 2 për qind kanë nevojë për trajtim spitalor.
Në praktikë, për Covid-19, ka simptoma të buta deri të mesme deri në rreth 80% të të prekurve, për të cilat nuk ka asnjë trajtim apo kurim të njohur. Rreth 20 përqind e rasteve kanë nevojë për shtrim në spital, dhe të paktën një e katërta e tyre kanë nevojë për terapi intensive.
Në teori, me koranavirusin do të duhet të ishim sjellë në praktikë njësoj si me gripin e zakonshëm: të kishim zbatuar rregullat e higjenës dhe kujdesit persona dhe të etikës kolektive, e të mjaftoheshim me kaq, duke vazhduar jetën normale.
Në praktikë, po të ishim sjellë siç thotë teoria do të, pra nëse nuk do kishim marrë masat ekstreme të karantinimit, izolimit, distancimit social dhe mbylljes në masë të popullsisë brenda, sot do të kishim patur qindra mijëra në mos miliona të vdekur (me gjasa sepse sërish nuk mund të hamendësojmë në teori për një skenar që nuk e vëzhgojmë/provojmë dot në praktikë).
Teorikisht Covid-19 është grip i zakonshëm; praktikisht është grip i rrezikshëm. Ndaj bëhuni praktikë dhe dëgjoni praktikantët (mjekët) dhe dhe jo “teoricentët”: qëndroni brenda dhe shmangni kontaktet me të tjerët.