Një tërmet i fortë regjistrua mëngjesin e sotëm në juglindje të vendit. Instituti i Gjeoshkencave raportoi në orën 5:25 minuta për lëkundje të forta me magnitudë 5.2 ballë të cilat e kishin epiqendrën 3 kilometra larg fshatit Miras që ndodhet 11 kilometra në juglindje të Korçës.
Sipas raportimeve të mediave, lëkundjet zgjatën pak sekonda, por mund të kenë shkaktuar dëme në fshatrat Miras,Qafëzez, Floq apo Vidohovë të Devollit, të cilat qenë prekur edhe nga tërmetet e muajve qershor-korrik.
Sipas Qendrës Evropiano-Mesdhetare të Sizmiologjisë (EMSC-CSEM) tërmeti ishte 4.7 ballë. Qytetarë të shumtë të Korçës dhe rrethinave e kaluan mëngjesin jashtë shtëpisë nga frika e një postgoditjeje më të fortë.
Mbi 180 shtëpi u dëmtuan nga një seri tërmetesh që nisën më 1 qershor në rrethinat e Korçës. Lëkundjet e para ishin të magnitudës 5.3 ballë dhe përveç dëmeve materiale lëndoi dhe 4 njerëz.
Situata u rëndua me faktin se për ditë me radhë pati lëkundje të tjera dhe me banesat e dëmtuara, banorët e zonave në Floq apo Qafëzez u detyruan të shpërnguleshin në çadra apo shkolla.