Të paktën 216 persona kanë humbur jetën nga tërmeti që tronditi kryeqytetin e Meksikës, Mexico City, të martën në mbrëmje vonë.
Tërmeti me magnitudën 7,1 të shkallës Rihter ka shkatërruar dhjetëra ndërtesa, ndërkohë që në një shkollë të shëmbur totalisht kanë vdekur 22 fëmijë.
Në Mexico City, mijëra ushtarë, policë dhe civilë – duke përfshirë edhe studentët e kolegjit – po punojnë për të nxjërrë të tjerë trupa nga gërmadhat e rrënojave të shkatërruara.
“Ne po përballemi me një emergjencë të re kombëtare”, deklaroi Presidenti Enrique Peña Nieto, në daljen e tij të parë publike pas tërmetit.
Tërmeti i së martës erdhi pak ditë më vonë pasi një tërmet me magnitudë 8.1 goditi brigjet jugore të vendit duke vrarë të paktën 90 vetë.
Të tillë tërmete të fuqishme nuk janë të pazakonta për Meksikën. 32 vjet më parë, në vitin 1985 në po të njëjtën datë, një tërmet I fuqishëm tronditi Meksikën duke shkaktuar qindra viktima. Dje, disa orë përpara tërmetit, qytetarët e Meksikës morën pjesë në stërvitjet emergjente në kujtim të tërmetit të vitit 1985.
Për këtë ngjarje reagoi dhe Presidenti amerikan Trump duke shkruar në Twitter: “Zoti i bekoftë qytetarët në Mexico City. Jemi me ju dhe do të jemi aty për ju”.