Tërmetet e vazhdueshme në qarkun e Korçës kanë detyruar qindra banorë ta kalojnë fundjavën përjashtë. Tërmeti i parë u regjistrua në orën 6:20 të mëngjesit të 1 qershorit dhe ishte i magnitudës 5.3 të shkallës rihter. Të paktën 4 njerëz u lënduan dhe mbi 100 banesa dëmtuan nga tërmeti.
Më pas rreth 100 lëkundje të tjera u regjisturan të shtunën dhe të dielën duke dëmtuar edhe më tepër banesa. Emergjencat civile ngritën mbi 50 çadra për të strehuar më nevojtarët, por raportime të ndryshme mediatike treguan për gjendjen e rëndë që ata po kalojnë.
Nga zonat e përfshira prej lëkundjeve, Ministria e Mbrojtjes njoftoi të shtunën se fshatrat Floq dhe Dvoran pësuan dëmet më të mëdha. Rreth 70 banesa u raportuan se janë të pabanueshme atje, ndërsa çarje të mureve u vunë re edhe në fshatrat Qafëzezë dhe Vidohovë.
Por të hënën raportimet e ndryshme mediatike flisnin për dëme edhe më të mëdha. Gazetarja e Top-Channel Dhorjela Çule tha se banesat e dëmtuara ishin 184 dhe se 60 për qind prej tyre ishin të pabanuara. Ajo tha se 230 banorë janë strehuar në çadra kolektive, 160 prej të cilëve në Floq, 40 në Vivodë dhe 30 në Qafëzezë.
Balkanweb transmetoi me pamje video një moment të tensionuar mes banorëve të Floqit dhe prefektit të qarkut Korçë Dhori Spirollari. Ata janë ankuar për kushtet e vështira ku po qëndrojnë, pa ushqime dhe pa shtretër.
Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Shëndetësisë njoftuan vetëm pas mesditës së të hënës mbajtjen e mbledhjes së shtabit të emergjencës. Njoftimi i fundit për situatën qe bërë të shtunën e 1 qershorit.
Nga mbledhja që u zhvillua të hënën, pamjet e së cilës zyra për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë ua përcolli mediave, ra në sy mungesa e Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kjo e fundit njoftoi se mbledhjen e shtabit do ta zhvillonte nesër, ditën e martë.