Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit Instituti i Sizmiologjisë pranoi zyrtarisht se lëkundjet e magnitudes 6.4 të shkallës richter zgjatën më shumë se 30 sekonda.
Raportime të ndryshme në media cituan sizmiologët Rexhep Koçi dhe Llambro Duni të shpreheshin se forca më e madhe e lëkundjeve ishte 9 ballë, se ato kishin zgjatur rreth 1 minutë dhe se për 30 ditë ishin regjistruar rreth 2,200 pasgoditje.
Pas tërmetit të 26 nëntorit raportimet e para bënin fjalë për lëkundje që zgjatën rreth 30 sekonda. Por regjistrimet e kamerave në një biznes në Durrës treguan për rreth 54 sekonda lëkundje.
Një muaj më vonë kjo gjë pranohet zyrtarisht nga sizmiologët. Alarmant mbetet fakti që sikur thotë sizmiologu Rexhep Koçi stacionet e sizmiologjisë nuk kanë bateri apo sisteme alternative në rast shkëputjesh:
“[…] 90 për qind të stacioneve në gjithë vendin pa burim energjie rezervë (back-up) kjo ka munguar dhe vazhdon të mungojë prej vitesh.”
Mungesa e një baterie bëri që stacioni i Durrësit të regjistronte vetëm 15 sekondat e para të tërmetit të 26 nëntorit, pasi më tej pati 40 sekonda shkëputje energjieje elektrike. Po aq alarmante mbetet fakti se Departamenti i Sizmiologjisë nuk ka fonde për studime shkencore.