Tërmeti i 28 janarit me magnitudë 4.9 ka dëmtuar konviktin e shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, në Lezhë.
Megjithëse tërmeti nuk ishte aq i fortë sa ai 26 nëntorit, ai i dha godinës së amortizuar dhe dëmtuar nga tërmetet e mëparshme, goditjen e fundit.
Ekspertët e shpallën të pabanueshme godinën,ndërsa pritet vlerësimi më i thelluar për të vendosur nëse ajo do të shembet apo rikonstruktohet.
Në këtë godinë strehoheshin 51 nxënës të shkollës profesionale që vijnë nga rrethet e veriut. Për fat të mirë asnjë prej tyre nuk është lënduar më 28 janar.
Drejtori i shkollës Bardh Dedgjonaj shprehu shqetësimin për akomodimin e nxënësve pasi shumica prej tyre jetojnë në rrethe të tjera dhe e kanë të pamundur të ndjekin shkollën në rast se nuk kanë akomodim në Lezhë.
Duke komentuar rastin, nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj tha se bashkia po punon për të gjetur brenda javës që vjen një vend tjetër akomodimi për konviktorët, me qëllim që të vijojnë normalisht procesin mësimor.