Gjermania vendosi të premten rregulla të reja për 25 vende përfshi edhe Shqipërinë, pasi i konsideroi ato si vende me rrezik të lartë të Covid-19.
Qytetarët nga këto 25 vende nuk do të hyjnë dot në Gjermani pa një test negativ të Covid-19.
Ambasada gjermane ka njoftuar se:
“Personat mbi gjashtë vjeç që udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe që në dhjetë ditët e fundit përpara hyrjes në Gjermani kanë qëndruar në një zonë me incidencë të lartë (p.sh. në Shqipëri) duhet që në momentin e hyrjes në Gjermani të kenë me vete dokumentin që provon testimin negativ nga infeksioni me Corona Virus SARS-CoV-2”.
Ambasada bëri me dije se testi nuk duhet të jetë bërë më vonë se 40 orë.
“Në çdo rast testi nuk duhet të jetë bërë më herët se 40 orë përpara hyrjes në Gjermani (prej momentit të marrjes së materialit).Dokumenti me rezultatin e testimit duhet të jetë në formë të printuar ose elektronike në gjermanisht, anglisht ose frëngjisht. Rezultati i testimit duhet të ruhet për një periudhë të paktën dhjetë-ditore pas hyrjes në Gjermani”, sqarohet më tej.
Tre kushtet kryesore që duhet të plotësojë ata që udhëtojnë drejt Gjermanisë janë:
- Hyrje vetëm me testim negativ
- 10 ditë karantinë e detyruar në Gjermani
- Regjistrimi i hyrjes