Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mirëpritur emërimin e Skënder Hysenit si koordinatori shtetëror të Kosovës për dialogun me Serbinë.
Thaçi vlerësoi eksperiencën e Hysenit dhe shprehu besimin se do të bëjë një punë të mirë:
“Kam besim të plotë se përvoja tri dekadëshe e z. Hyseni në procesin e lirisë dhe shtetformimit do të jetë jetike për fazën finale të dialogut për njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Z. Hyseni ka mandat për të negociuar për marrëveshjen përfundimtare politike ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe jo për t’u bërë pjesë e proceseve shterpe teknike.”
Skënder Hyseni do të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit.
Ai do të përfaqësojë Kosovën në dialog me Serbinë këtë të enjte në Bruksel, ku do të bisedohet për personat të pagjetur, për personat të zhvendosur dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Siç u paralajmëruar nga kryeministri Avdullah Hoti të hënën, koordinatori shtetëror do të punojë edhe në “draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke”.
Skënder Hyseni është anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë pjesë e delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status dhe zëdhënës i ekipit negociator të Kosovës nga 2006-2007.
Ndër vite, ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Punëve të Brendshme si dhe ministër i Kulturës.