Tirana fiton projektin ‘Kryeqyteti i Rinisë 2022’

Nga Rezearta Caushaj
Tirana fiton projektin ‘Kryeqyteti i Rinisë 2022’

Forumi Rinor Europian, një ombrellë organizatash rinore europiane, të financuara mes të tjerash nga ERASMUS + dhe Këshilli i Europës, ka shpallur Tiranën fituese të projektit “Kryeqyteti i Rinisë 2022”.

Ky titull i jepet një bashkie për të inkurajuar pjesëmarrjen rinore në jetën publike dhe për të forcuar identitetin europian.

Në faqjen zyrtare shkruhet se “Forumi Rinor punon për të fuqizuar të rinjtë, që të marrin pjesë aktive në shoqëri për të përmirësuar jetën e tyre, duke përfaqësuar dhe mbrojtur nevojat e interesat e tyre dhe ato të organizatave të tyre.”

Përzgjedhja mes bashkive bëhet në bazë të një aplikimi, i cili kalon në dy faza dhe për çdo fazë bashkia pjesëmarrëse paguan një tarifë prej 700 eurosh.

Bashkitë angazhohen të organizojnë me shpenzimet e tyre një sërë aktivitetesh kulturore, sociale e politike, me qendër të rinjtë, me qëllim forcimin e organizatave rinore dhe pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrjen e qytetit.

Tirana ishte një nga 12 qytetet që aplikuan për titullin “Kryeqyteti i Rinisë 2022” dhe ndër 5 aplikimet e përzgjedhura për fazën finale, mes qyteteve vijuese:

 1. Baia Mare (Rumani);
2. Kazan (Rusi);
3. Poznań (Poloni);
4. Varaždin (Kroaci).

Fitorja e Bashkisë Tiranë ishte e merituar, duke qenë se aplikimi i saj ishte më i miri krahasuar me aplikimet e katër qyteteve të mësipërme.

Por, lajmërimi i fitimit të projektit “Kryeqytet Europian i Rinisë 2022” nxiti një sërë komentesh dyshuese në rrjet.

Komentet i detyrohen frymës së mosbesimit, të krijuar ndaj kryetarit Veliaj, i cili është kapur jo pak herë duke abuzuar me idenë e “çmimeve”, sikurse e kemi shpjeguar edhe më parë.

Gjithashtu, kur dëgjon togfjalëshin “Kryeqytet Europian i Rinisë ”, lexuesi mund të imagjinojë se Tirana ka garuar dhe ka kaluar kryeqytete si Londra, Parisi, Madridi, Berlini etj. Sigurisht që kjo nuk ka ndodhur.

Madje, këto qytete nuk kanë nevojë të bëhen pjesë e këtyre projekteve, pasi ato prijnë në krijimin e hapësirave për angazhimin e të rinjve në jetën qytetare apo krijimin e mundësive që të rinjtë të shprehin talentin e tyre.

Çfarë është ky project?

Fitimi i titullit “Kryeqyteti Europian i Rinisë ” e vendos Bashkinë Tiranë para detyrimit ligjor për të organizuar të gjitha aktivitete e premtuara në aplikimin përfundimtar, të cilat do të duhet t’i financojë nga buxheti i saj, sikurse parashikohet në kontratën e nënshkruar me Forumin Rinor Europian.

Kjo kontratë e ngarkon Bashkinë Tiranë me përgjegjësinë për të bashkë-organizuar katër aktivitete vjetore të Forumit: dy takime të Këshillit të Anëtarëve dhe dy takime të Asamblesë së Përgjithshme.

Kërkohet që këto takime të mbulohen financiarisht pjesërisht nga Bashkia Tiranë dhe pjesërisht nga Forumi Rinor Europian.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>