Tirana mes qyteteve më të ndotura në botë

Nga Alice Elizabeth Taylor
Tirana mes qyteteve më të ndotura në botë

Tirana renditet një prej qyteteve më të ndotura në botë, në Indeksin e Ndotjes 2019. Hartuar nga Numbeo, Indeksi i Ndotjes rendit qytete nga e gjithë bota, bazuar në perceptimin e ndotjes që kanë qytetarët për to. Rolin më të madh në përllogaritjen e ndotjes së një qyteti e zë ndotja e ajrit dhe e ujit.

Mes 294 qyteteve, ku i pari renditet qyteti më i ndotur dhe i fundit qyteti më i pastër, Tirana renditet në vend të 38-të. Ndërsa në Evropë, vetëm një qytet është më i ndotur se Tirana, Tetova e Maqedonisë, e cila renditet e dyta në gjithë botën, pas qytetit Accra në Gana.

Krahasuar me një vit më parë, Tiranë u ngjit në renditje me 16 vende, ç’ka do të thotë se ndotja në qytet është përkeqësuar.

Tirana konsiderohet më e ndotur se qytete të mëdha e të mbipopulluar si Bangalore në Indi, Shangai në Kinë, Aleksandria në Egjipt dhe Napoli në Itali.

Qytetet më pak të ndotura sipas indeksit janë Reykjaviku në Islandë, Canberra në Australi dhe Helsinki në Finlandë.

Rezultati i dobët i Tiranës nuk është befasi për qytetarët e saj. Transporti publik joefikas dhe politikat e këqija urbane të bashkisë janë shkaktarët kryesorë të trafikut të rënduar në pothuaj gjithë rrugët kryesore, ç’ka përkthehet në ndotje të ajrit nga makinat. Po ashtu, dështimi i bashkisë për të ricikluar mbetjet dhe djegia e tyre është një tjetër shkaktar i ndotjes së ajrit dhe ujit.

Ndërkohë, kryetari Erion Veliaj, vazhdon të paraqesë veten si politikan “ambientalist” pavarësisht se Tirana po ndotet gjithnjë e më tepër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>