Tirana pa plan shpërngulje—banorët refuzojnë Veliajn, vjen në ndihmë Rama

Nga Stafi i Exit
Tirana pa plan shpërngulje—banorët refuzojnë Veliajn, vjen në ndihmë Rama

Përpjekja e Bashkisë Tiranë për të inspektuar pallatet e dëmtuara nga tërmetet nuk është plotësuar me një plan të qartë shpërnguljeje të banorëve, të cilët në disa raste kanë kundërshtuar braktisjen e banesave pa ditur ku po shkojnë.

Në zonën e Kombinatit, e cila është më e dëmtuara në Tiranë, dhjetëra banorë u përballën sot me Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj.

Bashkia ka cilësuar të pabanueshme 8 pallate në kombinat, dhe ka kërkuar largimin e banorëve prej tyre. Por banorët kanë kundërshtuar policinë bashkiake, duke mos pranaur të dalin pa ditur se ku do të shpërngulen.

Zoti Veliaj është përpjekur t’ua komunikojë personalisht si zgjidhje shpërnguljen në qendra sociale, çadra apo hotele, por qytetarët e shqetësuar nuk janë bindur.

Banorëve u ishte komunikuar edhe ditën e premte, që të shpërnguleshin nga pallatet.

Për të qetësuar situatën në Kombinat erdhi edhe Kryeministri Rama dhe Zëvendës Kryeministri Braçe.

Duke ju drejtuar një zonje për procedurat e lëvizjes, Zoti Rama u shpreh:

“Ti do vish  me mua tani dhe do shkosh tek qendra sociale. Unë nuk ndaloj njëri, nëse do të rrish në shi, rri. Unë po të them që në qoftë se do përveç bukës, do të ofroj edhe një dyshek.”

Kryeministri tha se grupi i inspektimit duhet të dalë në përfundim nëse pallatet duhen shembur apo jo. Ai i ftoi njerëzit të qetësohen, të shkojnë në qendra sociale, ose te të afërmit dhe të mos kalojnë mbrëmjet jashtë apo në makina.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Veliaj duke u përballur me banorët.

Grupi inspektues që u ngrit të premten nga Bashkia Tiranë, ka shpallur deri më tani 8 pallate të pabanueshme në zonën e Kombinatit. Nga Bashkia thuhet se janë rreth 250 familje që preken.

Deri mbrëmjen e së premtes, Bashkia kishte vënë në dispozicion 5 qendrat sociale për strehim. Për zonën e Kombinatit është e hapur qendra “Të qendrojmë së bashku” në Rrugën “Sabaudin Gabrani” ish-Kombinati Misto Mame.

Numri i banorëve që do të duhet të strehohen është më i madh se kapacitetet e qendrave sociale. Bashkia pritet të riorganizojë grupet e inspektimit, për të vendosur plan më të qartë veprimi. Si zgjidhje e përkohshme është parë ngritja e çadrave, apo strehimi nëpër hotele.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>