Deri në vitin 1991, Tirana ishte një qytet ku të gjithë lëviznin me biçikleta. Gjatë regjimit komunist qytetarët nuk lejoheshin të kishin makina dhe e vetmja mundësi ishte biçikleta.
E gjitha kjo ndryshoi me ardhjen e demokracisë dhe tregut të lirë, kur të pasja e një makinë u kthye në simbol të pavarësisë dhe pasurisë. Çdo kush që ecën në Bllok gjatë fundjavës e kupton se makina është nja nga simbolet më të rëndësishme të statusit shoqëror. Dikush më tregoi njëherë një anekdotë: “Mirëseerdhe në qytetin ku makinat janë më të shtrenjta se shtëpitë.”
Që në vitin 2010, kur erdha në Shqipëri nga Hollanda unë kam lëvizur vetëm me biçikletë. Biçikletën e parë ma dhuroi një shok hollandez që ishte duke u larguar nga Shqipëria, një model Batavus që fatkeqësisht ma vodhën në tregun mbas pazarit të ri—u tregova aq budalla sa e lashë jashtë gjithë natën.
Biçikletën tjetër e bleva në tregun e Pazarit të Ri, me çmim më të lartë sa vlente në të vërtetë, një imitim i tmershëm i një biçiklete të vërtetë, timoni i së cilës u thye në dysh për shkak të temperaturës së lartë në një ditë të nxehtë vere. Biçikleta ime e tanishme është një biçikletë e përdorur të cilën e bleva në dyqanin e Ecovolisit.
Kur fillova të udhëtoja me biçikletë në Tiranë shumë njerëz mendonin se isha i çmendur. Shoferët ishin të pakujdesshëm dhe nuk ishin mësuar të ndanin rrugët me kolegët e tyre më të dobët. Por gjatë viteve, kam parë që numri i biçikletave është rritur—tani unë nuk jam më i vetmi me biçikletë në qytet.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është përpjekur shpesh të promovojë daljen me biçikletë, si një mënyrë për të ulur ndotjen dhe për të pasur më shumë hapësira të lira, për qëllime të tjera nga qarkullimi i makinave. Kjo është reflektuar edhe në Masterplanin e Tiranës 2030, ku projekti strategjik 11 përfshin zhvillimin e një rrjeti të kushtuar korsish për biçikleta përqark Tiranës.
Një nga supozimet e Masterplanit të Tiranës është se mungesa e korsive të kushtuara për biçikleta i shtyn pak njerëzit të përdorin biçikletën dhe krijon një situatë të rrezikshme për çiklistët. Ky supozim është i saktë, por zhvillimi i korsive të kushtuara nuk është zgjidhje e gjendjes së tanishme. Ajo çfarë e bën trafikun e Tiranës të rrezikshëm për çiklistët nuk është mungesa e hapësirave të kushtuara, por fakti se të gjitha mjetet e tjera nuk respektojnë faktin që edhe ato janë në rrugë.
Për shembull, korsitë e biçikletave pranë një rreshti me makina të parkuara janë të rrezikshme sepse njerëzit mund të hapin derën e makinës pa kontrolluar më parë nëse po afrohet ndonjë çiklist. Korsitë e tjera të biçiklitave, të ndara nga rruga kryesore dhe të ngritura në nivelin e trotuarëve të këmbësorëve, shpesh përdoren nga këmbësorët. Korsitë e biçikletave gjithashtu përdoren shpesh për parkim. Në lagjen time këto korsi bllokohen jo rrallë nga makinat e policisë.
Korsitë e tjera të kushtuara janë të prishura dhe shpesh është e vështirë të kalosh në to pa rrezikuar jetën. Ka shumë shembuj: fillimi i korsisë qendrore në Rrugën e Kavajës ose Bulevardin Zogu I; përfundimi i korsisë nga Coin tek Pallati i Kongreseve. Korsia përgjatë Ministrisë së Inovacionit, e cila gati përherë është e bllokuar nga makina e kështu me radhë.
Kjo nuk u lë çiklistëve asnjë mundësi tjetër por t’i japin biçikletës në mes të rrugës, larg rrezikut të dyerve të makinave, këmbësorëve të zakonshëm dhe korsive të prishura, por në mëshirë të shoferëve të cilët i ngasin makinat përtej shpejtësisë së lejuar në qytete prej 40 km/h.
Nuk ka rëndësi sa korsi do të ndërtohen nën Masterplanin e ri, elementi më i rëndësishëm i sigurisë rrugore është sjellja e atyre që përdorin rrugët. Përmirësimi i situatës kërkon mbi të gjitha një reformim të liçensimit të autoshkollave dhe rishikim të provimeve për marrjen e patentave. E kam të vështirë të besoj se të moshuarit mbipeshë (shpesh të dehur) që ngasin mercedesë të vjetër janë instruktorët më të mirë për sigurinë rrugore.
Kërkon gjithashtu që policia rrugore duhet të fillojë të japë shembullin e mirë. Janë të panumërta rastet kur shoh policë pa rrip sigurimi që ngasin makinën, ose kur nuk zbatojnë semaforin. Shumë herë, kam parë policët rrugorë të përdorin sirenat e makinës dhe buritë pa qënë e nevojshme, ndonjëherë edhe duke detyruar shoferët e tjerë të rrezikojnë jetën e të tjerëve.
Për të mos vazhduar me median që duhet të raportojë të vërtetën për aq shumë vdekje të panevojshme në rrugët e vendit. Në vend të titullit “Masakër në Rrugën Tiranë-Shkodër (Me Foto Ekskluzive)” pse të mos përdorin “Tre Viktima të Tjera të Panevojshme që nuk Mbanin Rrip Sigurimi”?
E gjitha kjo për të thënë se pavarësisht se përmirësimi i infrastrukturës për çiklistët në Tiranë është i mirëpritur, është vetëm ndryshimi i mentalitetit të shoferëve që mund t’i bëjë prindërit t’i çojnë fëmijët me biçikletë në shkollë. Ky ndryshim nuk matet me “numrin e biçikletave” apo “numrin e korsive për biçikleta” por vetëm me anë të një gërshetimit të edukimit rrugor, forcimit të vazhdueshëm të ligjit dhe dhënies së shembujve të mirë.