Tjetër akt klientelist i qeverisë: Dekodera dixhitalë për të varfërit

Nga Exit News
Tjetër akt klientelist i qeverisë: Dekodera dixhitalë për të varfërit

Qeveria ka vendosur para një muaji të paguajë nga fondet buxhetore blerjen e dekoderave dixhitalë televizivë për familjet e varfra. Për këtë qëllim qeveria do të përdorë 2,6 milionë euro nga buxheti i vitit 2015 dhe 2016.

Duke qënë se vendimi është mbajtur sekret deri sa është botuar në Fletoren Zyrtare nuk dihet se çfarë arsyetimi e ka shtyrë qeverinë në këtë vendim të pazakontë. Ka arsye, sidoqoftë, për të menduar se ky vendim mund të jetë motivuar nga interesa klienteliste.

Vendimi është marrë në një kohë kur televizioni publik shqiptar nuk ka nisur ende proçesin e dixhitalizimit të transmetimeve dhe nuk ka gjasa që ky proçes të përfundojë brenda tre viteve. Kjo do të thotë që Televizioni Shqiptar do të vazhdojë të transmetojë në valë analoge edhe për disa vjet. Në këto kushte, vendimi i qeverisë për të dhuruar dekodera në fakt favorizon një produkt privat dhe jo publik, praktikisht në përfitim të platformave ekzistuese dixhitale, Digitalb dhe Tring. Këto platforma janë në pronësi, ndër të tjerë, të pronarëve të televizioneve Top Channel, Klan dhe Vizion Plus.

Nga ana tjetër, shikimi i programeve televizive nuk është mall apo shërbim jetik por argëtues dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rast si mbështetje sociale për familjet në nevojë. Janë me mijëra familje shqiptare që jetojnë në varfëri ekstreme apo në prag të varfrisë ekstreme pa mundur të sigurojnë ushqimin e përditshëm. Ndërsa janë me qindra mijëra familjet që kanë nevojë për mbështetje për kujdes shëndetësor dhe për shkollim.

Vendimi për të shpenzuar 2,5 milion euro është vendim i papërgjegjshëm dhe klientelist i qeverisë Rama në vazhdën e dhjetra vendimeve të tilla të cilat çojnë, direkt apo indirekt, qindra milionë euro nga paratë publike në biznese afër Kryeministrit. Ky vendim është ndoshta më arrogant se të tjerët dhe dëshmon se qeveria nuk ka frikë nga asnjë lloj reagimi qytetar për mënyrën se si i shpenzon fondet publike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>