
Një tjetër pasuri kombëtare në vend po betonizohet.
Në Parkun Kombëtar të Butrintit, pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, kanë nisur punimet për ndërtimin e një objekti pranë një muri prehistorik.
Televizioni Ora News ka sjellë disa pamje nga brenda parkut, ku shihet qartë sheshi i ndërtimit i rrethuar dhe punëtorët teksa hedhin beton.

Sipas OraNews, objekti që po ndërtohet është një lokal dhe drejtori i Parkut të Butrintit Gjergji Mano ka deklaruar se leja për ndërtimin e objektit brenda parkut është dhënë nga Ministria e Kulturës.
Zona e rrethuar për ndërtim është në zonën e njohur si Akropola e qytetit të Butrintit, pranë Kullës Veneciane.
Deri më tani nuk ka asnjë informacion mbi kompaninë apo lejet dhe afatet për punimet që po bëhen në park.
Parku i Butrintit
Parku kombëtar i Butrintit është shpallur monument kulture në mbrojtje nga shteti shqiptar në vitin 1948.
Më pas është regjistruar si pasuri botërore e UNESCO-s në vitin 1992 dhe është përfshirë në listën e Monumenteve në Rrezik në vitin 1997.
Nuk është rasti i parë që një zonë, trashëgimi e UNESCO-s, rrezikohet nga punët ndërtimore. Në qytetin e Gjirokastrës, po ashtu nën mbrojtjen e UNESCO-s, qeveria ka miratuar planin për ndërtimin e bypassit të qytetit, plan ky që vë në rrezik trashëgiminë arkeologjike të këtij qyteti.