Torturë dhe shkelje e të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare

Torturë dhe shkelje e të drejtave të njeriut në burgjet shqiptare

Komiteti Shqiptar i Helsinkit denoncoi dje publikisht rastin e abuzimit fizik të një të burgosuri në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Më 30 shtator, gjatë një kontrolli që synonte gjetjen e sendeve të ndaluara, rojet e burgut kishin hyrë në qelinë nr. 12, duke i kërkuar të burgosurit V.G. nëse ai mbante ndonjë send të ndaluar. Pas reagimit negativ, V.G. pretendoi se ai ishte rrahur vazhdimisht me shkopinj gome nga rojet.

Sipas deklaratës së Komitetit të Helsinkit:

“Eksperti mjeko-ligjor në përbërje të grupit të KShH, pas ekzaminimit fizik të të dënuarit konstatoi katër ekimoza në shpinë dhe një në këmbën e djathtë sipër gjurit me gjatësi nga 5-15 cm, si dhe një hematomë në bark, majtas, me gjatësi rreth 10 cm, me ngjyrë mavi dhe të kuqërremtë të theksuar. Dëmtimet e mësipërme ishin lehtësisht të dukshme dhe të freskëta.”

Më 3 tetor, KShH-ja publikoi një raport tronditës lidhur me zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës dhe Trajtimit Çnjerëzor, konventë në të cilën Shqipëria bën pjesë. Raporti është shumë kritik ndaj standardeve ligjore në Shqipëri sa i përket hetimit dhe dënimit të torturës, si në rastin e mësipërm.

Raporti vë në dukje disa mospërputhje mes Kodit Penal Shqiptar dhe legjislacionit ndërkombëtar se çfarë konsiderohet “torturë” ndaj qënieve njerëzore.

Ndërsa Kodi Penal Shqiptar njeh vetëm si “torture” dhunën e ushtruar nga një nëpunës i shtetit, dhe nuk përfshin torturën e ushtruar nga qytetarë të rregullt, edhe pse disa raste të torturës në mjedise kriminale.

Si për shembull burgjet, të raportuara në vitet e fundit kanë qenë mes të dënuarve. Për më tepër, neni i Kodit Penal mbi Torturën përfshin gjithashtu trajtimin çnjerëzor dhe degradues, nene që nuk zbatohen kurrë nga gjyqësori.

KShH konkludon se “ligjet e brendshme nuk janë të pajtueshme dhe nuk sigurojnë një mbrojtje adekuate të qytetarëve” siç përcaktohet në Kushtetutë dhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Edhe rastet që i janë sjellë Prokurorisë së Përgjithshme si torturë (sipas nenit 86 të Kodit Penal) janë “dublikuar” më pas si krime më të vogla si “kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “keqpërdorimi i detyrës”, të cilat nuk kanë lidhje me krimin e torturës.

Për më tepër, KShH vë në dukje mungesën e njohurive dhe informacionit në lidhje me përkufizimin ndërkombëtar të torturës nga ana e prokurorisë dhe gjykatave.

“Prokuroria i ka nënvlerësuar rastet e këtij akti kriminal [torturës]. Në asnjë rast të paditur ky organ nuk ka bërë hetimet, por e ka delaguar punën hetimore tek zyrtarët e Policisë së Gjykatës.”

Për më tepër, hetimet shpesh nuk janë përfunduar dhe ekspertët mjekësorë nuk thirren për të inspektuar plagët e dëmtimet.

“Në përgjithësi”, përfundon KShH, “nuk është bërë asnjë përpjekje e arsyeshme për të verifikuar dhe hetuar me objektivitet pretendimet e të plagosurve”.

“Praktikat e zbatuara nga organet e drejtësisë nuk korrespondojnë me nevojën për të goditur dhe parandaluar […] kushtet në të cilat ky fenomen [tortura] është i përhapur, veçanërisht në mjediset ku trajtohen persona me liri të kufizuar [të tilla si burgje].”

Raporti gjithashtu liston mbipopullimin, mungesën e respektit për dinjitetin njerëzor, privatësinë, higjienën dhe ajrin e pastër, mungesën e letrës higjienike, mungesën e ujit etj.

Me pak fjalë, raporti i Komiteti i Helsinkit tregon rrethanat e mjerueshme dhe kushtet degraduese, në të cilat të burgosurit shqiptarë kalojnë dënimin e tyre. Ndërsa sistemi i drejtësisë nuk është në gjendje t’i garantojë as një nga të drejtat themelore të njeriut, mbrojtjen nga keqtrajtimi dhe tortura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>