Nga shpërthimi tek stresi i Mihal Delijorgjit – Tragjedia e Gërdecit në fakte

Nga shpërthimi tek stresi i Mihal Delijorgjit – Tragjedia e Gërdecit në fakte

Shpërthimi

Dy shpërthime masive ndodhën më 15 mars 2008, në orën 12:00 dhe 12:29, në një repart të demontimit të materialeve ushtarake pranë Gërdecit.

Shpërthimet shkaktuan lëkundje të shkallës 2.9 dhe 2.5 ballë të shkallës Rihter.

Shpërthime më të lehta vijuan deri pesëmbëdhjetë orë pas shpërthimit të parë.

Vala e shpërthimit preku Gërdecin, Marqinetin, Gjokajn dhe Vorën.

Shkaku i shpërthimit nuk u përcaktua asnjëherë me siguri, por mendohet të ketë qenë një shkëndijë e shkaktuar nga ndonjë veprim mekanik, e cila ka ndezur barutin e demontuar.

Dëmet

26 persona humbën jetën, mes të cilëve dy fëmijë, tre dhe gjashtë vjeçarë.

300 persona u plagosën, disa prej të cilëve rëndë.

24 persona kërkuan mjekim të specializuar në Itali, Zvicër, Greqi dhe Turqi.

Rreth 100 shtëpi u dëmtuan, disa të shkatërruara plotësisht.

Rreth 4 mijë persona u evakuan nga shtëpitë e tyre, për shkak të dëmeve dhe ndotjes së shkaktuar nga shpërthimi.

Rreth 10 mijë persona u dëmtuan në mënyra të ndryshme nga shpërthimi.

Dëmet në prona u vlerësuan në rreth 20 milionë euro.

Projekti i demontimit

Fabrika e çmontimit të armëve në Gërdec u ngrit, në vitin 2007, për demontimin e një sasi predhash të kalibrit të ulët të vjetra të ushtrisë shqiptare.

Kontrata e çmontimit u lidh nga ushtria shqiptare me një kompani të dyshimtë amerikane të quajtur SAC Inc.

Kontraktori lokal i SAC ishte kompania Albademil shpk e biznesmenit të njohur Mihal Delijorgji, e cila menaxhonte procesin e demontimit.

Pas përfundimit të kontratës për predhat e vogla, çmontimi vazhdoi edhe për predha të mëdha nga Albdemil, në kushte të paqarta kontraktuale dhe ligjore, ndërkohë që reparti i çmontimit nuk kishte asnjë lloj teknologjie të përshtatshme për demontimin e predhave të rënda.

Edhe pse kjo lidhje nuk u hetua kurrë, demontimi i armëve në Gërdec, me shumë gjasa, ishte një aferë korruptive mes drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe kompanisë Albademil.

Proçesi gjyqësor

Hetimi gjyqësor për Gërdecin zgjati 3 vjet.

Proçesi mori 211 seanca gjyqësore, një rekord për drejtësinë shqiptare.

112 nga 211 seancat dështuan për mungesë të avokatëve apo mos formim të trupit gjykues.

Në proçes u gjykuan 29 persona, 10 nga të cilët në mungesë.

Drejtuesi më i lartë shtetëror që u gjykua ishte ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha.

Verdikti gjyqësor

Trupi gjykues arriti në përfundimin se shpërthimi erdhi si pasojë e një aksidenti teknologjik, për shkak të mos zbatimit të rregullave të sigurisë teknike në punë.

Dënimet

21 persona nga 29 të gjykuar u shpallën fajtorë.

7 persona u dënuan me 3 vjet burg.

6 persona u dënuan me vetëm 1 vit burg.

5 vite burg u dënua Luan Hoxha, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

6,7 vite u dënua Mihal Delijorgji, pronari i kompansië Albademil.

10 vite burg u dënua Ylli Pinari, Drejtor i MEICO-s, kompanisë shtetërore të tregtisë së armatimeve.

10 vite burg u dënua Sokol Ngjeci, supervizor i kompanisë MEICO për procesin e çmontimit.

12 vite u dënua Dritan Minxolli, drejtori i fabrikës së çmontimit.

Kompania Albademil u dënua me 178 mijë euro gjobë që u zvogëlua në rreth 120 mijë në vendimin final të apelit.

Pas dënimit

6 nga dënimet prej 1-3 vite burg u pezulluan nga gjykata.

8 nga të dënuarit nuk i janë dorëzuar asnjëherë policisë, përfshi ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i cili ndërkohë ka fituar azil politik në SHBA.

Me përjashtim të 4 personave, të gjithë personat e dënuar u liruan në sallën e gjyqit pasi ndërkohë kishin plotësuar kohën e dënimit gjyqësor si periudhë ndalimi paraprak.

Vetëm 4 persona vazhduan kryerjen e dënimit pas përfundimit të gjyqit.

1 nga ta është liruar, dy do të lirohen brenda këtij viti, i fundit mbas dy vitesh.

Mihal Delijorgji u lirua nga burgu para 7 muajsh. Ai e paditi shtetin shqiptar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe, para disa javësh, fitoi një dëmshpërblim prej rreth 15 mijë euro si kompensim për stresin e shkaktuar gjatë periudhës së paraburgimit.

Mihal Delijorgji i është kthyer aktivitetit të tij të biznesit. Në muajin shtator 2015, ai përfitoi disa leje ndërtimi në qytetin e Tiranës me firmë të Kryeministrit Rama.

Dëshpërblimi

Qeveria pagoi koston e funeralit të viktimave dhe koston e riparimit të dëmeve të shtëpive dhe biznesit.

Vetëm një familje ka marrë dëmshpërblim jo material nga shteti.

Familjarët e viktimave kanë ngritur padi kundër qeverisë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>