Gjatë këtyre ditëve përkujtohet përvjetori i tragjedisë së Marcinelleve, ku në vitin 1946 humbën jetën shumë emigrantë italianë, të dërguar nga qeveria italiane për të punuar në minierat e Belgjikës.
Një aksident shkaktoi zjarr brenda minerës që zbriste në brendësi të tokës në një thellësi për më shumë se një mijë metra, duke e bërë të pamundur dhënien e ndihmës së shpejtë dhe ajrimin e nevojshëm në mjediset ende të paprekura nga flakët. Në këtë moment brenda minierës punonin 275 persona, vetëm 13 prej tyre arritën të shpëtonin, të tjerët u nxorrën të vdekur dy javë pas aksidentit. 136 prej tyre ishin italianë.
Në vitin 2001 aksidenti i ndodhur në Marcinelle u quajt “Dita Kombëtare e sakrificës së punëtorëve italianë në botë”, pra, dita e emigrantëve, edhe pse përfaqësitë italiane në botë nuk e kanë festuar asnjëherë.
Si për çdo rast tjetër, edhe nga kjo ngjarje e dhimbshme në kujtesën e popullit italian, politika italiane përfitoi për të folur për çështjet të aktualitetit, dhe menjëherë u ndezën diskutime mbi atë që tha Presidenti i Republikës Mattarella dhe Presidentja e Kuvendit Boldrini, se njësoj si emigrantët që vijnë në Itali edhe shumë italianë në të shkuarën kanë rrezikuar jetën e tyre në kërkim të një të ardhme më të mirë nëpër botë. Por, menjeherë Kryetari i partisë Lega Nord Salvini ka reaguar duke e quajtur fyese krahasimin ndërmjet emigrantëve të vdekur në Marcinelle me klandestinët që po mbërrijnë çdo ditë në Itali.
Por, askush nuk komentoi mbi atë që sot duket aspekti më pak i pranueshëm, që qendron pikërisht në thelb të ngjarjes së korrikut 1946, atë që qeveria italiane si një vend i humbës i Luftës së Dytë Botërore, meqënëse kishte nevojë për qymyrgur, firmosi një marrëveshje me qeverinë belge e cila parashikonte këmbimin e qymyrgurit me minatorët italianë.
Funksionarët e minierave belge prisnin në Zvicër, direkt pas kufirit me Italinë, rreth dy mijë kandidatë për emigrantë. Ato i vizitonin, i rekrutonin dhe i ngarkonin në trena për t’i dërguar në Belgjikë, ku këto gjenin kushte logjistike shumë më të ulta se sa ato të premtuara nga propaganda e qeverisë italaine, të joshur dhe më pas të braktisur në barake të baltosura.
E parë nga sot, kjo duket gati sureale, qeveria italiane, për të marrë qymyrgur, premtoi “të dërgojë” shumë punëtorë italianë në Belgjikë, duke i lënë nën kujdesin dhe mbrojtjen e mëtejshme të institucioneve apo kompanive belge. Madje duke përfshirë në marrëveshje detyrimin për të punësuar në kurriz të minierave belge një numër të caktuar personash (të përcaktuar nga qeveria italiane) të cilët do të mbikëqyrnin sjelljen e miniatorëve, duke u paguar me një rrogë prej drejtuesi.
Pra, Republika italiane, e shpallur e tillë vetëm tre javë pas përfundimit të luftës, i shiti qytetarët e varfër në këmbim të qymyrgurit, dhe pa harruar të krijojë mundësi për të privilegjuarit e saj.
Më shumë se 60 mijë të rinj italianë u nisën për në Belgjikë me familjet e tyre, 136 humbën jetën në mënyrë tragjike, shumë të tjerë nuk u kthyem më kurrë.
Ne si emigrantë, nuk mund të kursejmë një mendim për këto fakte, duke kujtuar në të njëjtën kohë që edhe komuniteti italian në Shqipëri ka ndonjë të vdekur në punë larg shtëpisë për të qarë ose për të kujtuar, dhe akoma më shumë kanë shqiptarët që na mirëpresin.