Trampi kërkon sërish të bllokojë certifikimin e Bajdenit

Nga Exit News
Trampi kërkon sërish të bllokojë certifikimin e Bajdenit

Presidenti në ikje amerikan Donald Tramp ka kërkuar sërish, të mërkurën, të bllokojë certifikimin e presidentit të zgjedhur Xho Bajden. Ai i ka bërë thirrje zëvendës presidentit Mike Pens, që ta bllokojë certifikimin e fitores së demokratit Bajden.

Tramp ka shkruar në Twitter se shtetet duan t’i korrigjojnë votat e tyre. Sipas tij, ato vota ishin të bazuara në parregullsi e mashtrime:

“Gjithçka që Majk Pens duhet të bëjë është t’ua dërgojë shteteve dhe ne të fitojmë. Forca Majk, është koha për guxim të shtuar”.

CNN raporton se Trampi i ka bërë edhe më parë presion Pensit për bllokim të certifikimit.

Të martën ai i ka bërë presion sekretarit të shtetit të Xhorxhias, Bred Rafensperger që “të gjej” votat e mjaftueshme për të përmbysur fitoren e Xho Bajden. Një veprim që mund ta përfshijë Trampin në një skandal nga ku mund të ngrihen edhe akuza penale.

Tramp nuk e fitoi Xhorxhian, e cila u fitua nga demokratët për herë të parë që nga viti 1992. Rezultati i saj është certifikuar. Përpjekjet për të bërë presion ndaj republikanëve në shtetet e tjera kyçe kanë dështuar, ashtu si shumica dërrmuese e padive për rezultatet në gjykatë.

Dy demokratë të Kongresit i kërkuan FBI-së të hetojë telefonatën. Të dy ligjvënësit, Ted Liu nga Kalifornia dhe Kethlin Rais nga Nju Jorku, i shkruajtën në një letër drejtorit të FBI Kristopher Rei se “provat e manipulimit zgjedhor nga Tramp tani janë të qarta”.

Bob Bauer, një këshilltar i Bajden, tha:

“Tani kemi prova të pakundërshtueshme se presidenti ushtron presion dhe kërcënon një zyrtar të partisë së tij për ta shtyrë atë të heqë dorë nga numërimi i ligjshëm, i certifikuar i votave të një shteti dhe të sajojë një tjetër në vend të tij.”

Fushata e Tramp ka humbur shumicën dërrmuese të më mbi 50 proceseve gjyqësore që ka ngritur në shumë shtete dhe para gjykatës supreme të SHBA, duke pretenduar manipulim masiv zgjedhor.

Xho Bajden pritet të marrë detyrën e presidentit të SHBA më 20 janar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>