Mes 100 kompanive me fitimet më të larta për vitin 2014 janë 7 kompani publike, të cilat realizojnë 6 për qind të të ardhurave totale të këtij grupi dhe rreth 10 për qind të fitimeve.
Duke kërkuar bilancet e tyre, për të kuptuar nga vinë e, mbi të gjitha, ku përfundojnë të ardhurat e tyre, ndeshesh me një surprizë.
Ligji Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” detyron çdo ndërmarrje publike—ndërmarrjet ku shteti ka përqindje aksionesh—të bëjë publike online një sërë informacionesh, përfshi strukturën e pagave të drejtuesve dhe punonjësve të tjerë, kualifikimet dhe kompetencat e tyre dhe buxhetin e ndërmarrjes, të parashikuar dhe faktik.
Asnjë nga shtatë kompanitë më të rëndësishme publike të vendit—OST, Albpetrol, UKT, Posta Shqiptare, Autoriteti Portual Durrës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Albcontrol— nuk ka publikuar bilancin e saj online.
Gjithashtu, asnjëra nuk ka publikuar rrogat e drejtuesve dhe të nënpunësve.
Vetëm dy, nga shtatë kompanitë, kanë në faqen e tyre të internetit një seksion të rezervuar transparencës, siç e kërkon ligji, por informacioni në to është i mangët.
Pesë nga këto kompani janë shoqëri aksionere dhe, si të tilla, janë të detyruara me ligj të depozitojnë bilancin vjetor në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Asnjëra prej tyre nuk e ka depozituar.
Nuk e ka depozituar as Albpterol sha—kompania e shtatë shqiptare për nga fitimi—e cila është përfituese e pjesës së prodhimit nga kompanitë konçensionare të naftës që i kalon shtetit.
Fshehja e bilanceve dhe e të dhënave të tjera të kompanive publike, apo në raste të tjera formulimi në mënyrë të ngatërruar i tyre, i heq mundësinë publikut për të ditur si menaxhohen pronat publike dhe si përdoren paratë e taksapaguesve.
Është e vështirë të mendohet, se drejtuesit e këtyre kompanive do të mund ta shkelnin ligjin nëse nuk do të kishin mbështetjen politike apo miratimin e drejtuesve të qeverisë për veprimet e tyre. Në fakt, në shumicën e rasteve, në krye të këtyre kompanive janë emëruar njerëz të afërt apo shërbëtorë politikë të politikanëve më të lartë të vendit.
Po si mundet një qeveri që nuk respekton as ligjet që ka miratuar vetë, të thotë që po ndërton një shtet?