Transporti publik në protestë: Nuk nisim punën nëse qeveria nuk na plotëson kërkesat

Nga Exit News
Transporti publik në protestë: Nuk nisim punën nëse qeveria nuk na plotëson kërkesat

Shoqatat e transportit publik kanë protestuar sërish të premten, 19 qershor, duke kërkuar ndryshimin e protokolleve të sigurisë.

Kompanitë refuzojnë nisjen e punës me zbatimin e distancimit social mes qytetarëve, siç ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë. Ata shprehen se nëse në urbane zbatohen protokollet e ministrisë për të ruajtur distancën 1,5 metër mes udhëtarëve, atëherë në urban mund të udhëtojë vetëm 25 për qind e udhëtarëve. Funksionimi me këtë kapacitet do t’i çojë drejt falimentimit kompanitë.

Ata po ashtu kërkojnë:

  • Subvencionim nga shteti për vendet bosh në mjete për shkak të pandemisë;
  • Të hiqet akciza për naftën dhe taksat për karburantin, ngjashëm me sektorin e peshkimit;
  • Të ulet TVSH-ja nga 2% në 0% për këtë vit dhe më pas në vitin e ardhshëm të jetë 6 për qind.

Një prej përfaqësuesve tha se kompanitë nuk do të nisin punën, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre:

“Ne paguajmë taksa dhe nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Kemi më shumë se dy muaj që i bëjmë të ditura kërkesat. Ne kërkojmë rishikimin e protokollit të sigurisë. Nuk mund të jetë përgjegjësi e operatorëve të transportit sjellja e pasagjerëve në bord.”

Ata kërkuan që të takohen me përfaqësues të qeverisë për t’i sqaruar kërkesat:

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe gjithë personave të deleguar prej tij që të reflektojnë që të na thërrasin në një tryezë, pasi nuk jemi ulur deri më tani. Kërkesat tona janë shumë të qarta, por nëse nuk i ka të qarta qeveria, ne pranojmë të ulemi dhe t’i sqarojmë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>