Tre pallate të (pa)dëmtuara nga tërmeti në Kombinat, ndalohen të shemben me vendim gjykate

Nga Exit News
Tre pallate të (pa)dëmtuara nga tërmeti në Kombinat, ndalohen të shemben me vendim gjykate

Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të martën pezullimin e çdo veprimi për prishjen e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në Kombinat.

Ky është vendimi i tretë dhënë nga gjykata Administrative që pengon prishjen e ndërtimeve në këtë zonë, ndërkohë që sipas planeve të rindërtimit të qeverisë janë parashikuar të shemben 23 ndërtesa të tilla.

Banorët e pallatin nr. 145, në rrugën “Sokrat Mosko”, Kombinat, iu drejtuan gjykatës pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi prishjen e ndërtesës, me argumentin se objekti ka dëmtime të konsiderueshme.

Vendimi është marrë në shtator të vitit 2020, por në gjykatë banorët prezantuan prova dhe ekspertiza se vendimmarrja është marrë mbi fakte të pavërteta. Dëmtimet reale janë vetëm të dorës së dytë, më së shumti dëmtime të suvasë, ndërsa në aktin e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit thuhet se dëmtimet janë të rënda, duke paraqitur se vlera e riparimit të pallatit është sa 72 % e kostos së rindërtimit.

Aktet e ekspertimit të Institutit të Ndërtimit janë kontestuar nga banorët e prekur dhe ky është rasti i tretë ku gjykata vendos pezullimin e vendimeve administrative për prishjen e ndërtesës, deri në gjykimin e plotë të çështjes.

Manipulimi i akteve të ekspertimit

Ka mjaftuar një akt i përciptë ekspertimi nga Instituti i Ndërtimit, që një vit më vonë Bashkia e Tiranës ta vendosë ndërtesën në listën e atyre objekteve që duhet të shkatërrohen.

Banorët janë njohur me këtë Vendim vetëm kur nisën të shfaqen fadromat në në zonën e Kombinatit.

Banorët e Kombinatit në takim me Kryeministrin Edi Rama

Banorët e zonës iu drejtua avokatëve Dorian Matlija dhe Irena Dule për të mësuar ligjshmërinë e vendimeve, por ajo që u zbulua ndoshta përbën skandalin më të madh të rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri. Akti i ekspertimit të Institutit të Ndërtimit, mbi të cilin janë marrë vendimet e Bashkisë së Tiranës, ishte i pasaktë në fakte dhe në shifra.

Në kërkesën për sigurimin e padisë, familjet e dëmtuara pretendojnë paligjshmërinë e vendimit të Këshillit Bashkiak.

” Masa e sigurisë së dhënë sot nga gjykata i jep mundësi gjykimit të vazhdojë në diskutimin e paligjshmërisë së vendimit të Këshillit Bashkiak, para se ky Vendim të ekzekutohet dhe të sjellë pasoja të pariparueshme për ta,-thotë avokatja e çështjes Irena Dule.

Por më shumë se sa një beteje ligjore në gjykatë, avokatët kanë konstatuar probleme mbi aktet e Institutit të Ndërtimit, mi bazën e të cilave janë vendosur jo vetëm planet e qeverisë për rindërtimin por edhe vendimet e shembjes së godinave.

“Ajo që po vëmë re, si rast të përsëritur në zonën e Kombinatit, është se aktet e ekspertimit, bashkë me oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit, ku janë bazuar vendimet e Këshillit Bashkiak nuk pasqyrojnë realitetin. Kjo e konstatuar nga aktet e ekspertizave private të paraqitura nga banorët dhe të prezantuara para gjykatës, sipas të cilave vlerat e riparimit janë shumë më të ulëta në realitet. Po ju përmend si shembull një rast. Akti i ekspertimit i paraqitur nga Instituti i Ndërtimit nxjerr si vlerë për riparimin 72% të vlerës së rindërtimit, ndërkohë ekspertiza private e llogarit këtë vlerë në masën 9%. Duhet të kemi parasysh se akti Normativ nr 9/2019 përcakton, se nëse vlera e riparimit kalon vlerën 70% të rindërtimit atëherë pallati duhet të shembet. Mbi këtë logjikë është vendosur shkatërrimi i ndërtesave dhe pallateve në Kombinat”- shpjegon avokatja Dule.

Nisur nga rastet që kjo studio ligjore ka marrë përsipër të përfaqësoj në gjykatë, Dule thotë se është rasti të bëhet një auditim i të gjitha akteve të dorëzuara nga instituti i ndërtimit.

” Nisur nga fakti që tre çështje që kanë ndodhur në zyrën tonë kanë pasur të njëjtën problematikë na bën të dyshojmë se ky rast mund të jetë i përsëritur në çështje të ngjashme. Në këtë konteksti i bëj thirrje Institutit të Ndërtimit dhe Bashkisë që të rishikojnë aktet e ngjashme për pallatet e tjera, ose ftoj banorët që të paktën të jenë skeptik mbi ligjshmërinë e akteve të prodhuara nga institucionet shtetërore, dhe në raste të konstatimit të së njëjtës problematikë të ndërmarrin hapa ligjore në kërkim të së drejtës së tyre”- deklaroi Dule.

Procesi i rindërtimit të objekteve të shkatërruara nga tërmeti në Shqipëri po ecën, jo vetëm me ritme të ngadalta por vendimet për prishjen e ndërtesave kanë ngjallur pakënaqësi tek familjet e prekura. Deri më tani kanë ndodhur dhjetëra protesta të banorëve që kontestojnë procesin si në Shkozë, Kombinat, Vorë dhe Durrës.

Pothuajse një vit më parë, Shqipëria siguroi në konferencën e donatorëve në Bruksel, mbi 1 miliardë euro. Nga këto fonde të premtuara, 295 milionë prej tyre ishin grante dhe 853 milionë premtime për kredi të buta.

 

Publikuar në Respublica.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>